Bulqiza si vlerë studimesh

54
Këtë vit “vitrinës” së librit ndërkombëtar i  është shtuar edhe një libër i ri. Autori i këtij libri (monografi) është Prof. Asoc. Dr. Gafur Muka ndërsa titulli i tij në shqip është “Ndërtimi dhe përdorimi i hartave të gjeoriskut për menaxhimin e shfrytëzimeve të braktisura në Shqipëri” (Studim i konkretizuar në minierën e kromit, Bulqizë). Libri është botuar nga shtëpia botuese e librit akademik “Lambert Academic Publishing” me qendër në Berlin. Duke marrë në konsideratë faktin se autori është lindur në fshatin Sopot të bashkisë së Bulqizës, ka punuar si inxhinier në minierën e Bulqizës dhe e ka konkretizuar këtë studim mbështetur në të dhënat e marra nga kjo minierë, vendosëm të bisedojmë me të, kryesisht rreth monografisë së tij por edhe vendin që zë miniera e Buliqzës në fondin e studimeve shkencore dhe vlerat që kanë këto studimepër shkencën minerare në përgjithësi dhe për vendburimin e Bulqizës në veçanti.
Zoti Muka në fillim çfarë është ky botim?
Në tetor të vitit 2017 në Prijedor (Bosnjë Hercegovina) u mbajt Kongresi i 7 Ballkanik i minierave, ku së bashku me kolegun Thoma Korini referuam artikullin “Using Risk and Opportunities Mapping for Management of the Reactivation of the Abandoned Mines in Albania”, (Përdorimi i hartografimit të riskut dhe shanseve për menaxhimin e problemeve të riaktivizimit të shfrytëzimeve të braktisura në Shqipëri). Në këtë artikull trajtoheshin problemet që lindin në sipërfaqen e tokës nga shfrytëzimi nëntoksor i pjesëve të mineralit të mbetur si humbje nga shfrytëzimet parësore të mineraleve të ndryshme, konkretisht të mineralit të kromit në vendburimin e Bulqizës.
Artikulli u prit me interes si nga pjesëmarrësit në Kongres ashtu edhe në rrethet shkencore, ku lindin probleme të ngjashme në kushtet e riaktivizimit të shfrytëzimeve e braktisura. Në kuadër të këtij interesimi erdhi edhe kërkesa e shtëpisë botuese Lambert për të shkruajtur një libër që do i përmbahej tematikës së trajtuar në artikull. Shtëpia botuese merrte përsipër të gjitha shpenzimet e botimit.
Dhe ju vendosët ti përgjigjeni pozitivisht kësaj kërkese?
Dua të them që në fillim hezitova për një përgjigje pozitive, pasi konsideroja vështirësi në një trajtim të tillë që të ishte në nivelin e kërkesave të botuesit. Kështu që u interesova të njihesha më nga afër me këto kërkesa. Për këtë formulova në linja të përgjithshme atëçfarë unë mund të ofroja. Këtu më erdhi në ndihmëajo që nuk më ka munguar asnjëherë-Bulqiza.
Konkretisht si?
iç ju e dini tashmë unë kam punuar në Bulqizë. Dhe, si të gjithë ata që kanë punuar në këtë minierë, ia di asaj edhe ku i dhemb dhe çfarë duhet bërë që ajo të shërohet. Profesionistët që janë marrë e merren me problemet e Bulqizës e dinëpo ashtu që për shkak të shfrytëzimit të mineralit të kromit, në sipërfaqen e territorit të minierës(në Zonën e Parë dhe në Zonën D) kanë dalë të ashtuquajturat hinka, që s’janë gjë tjetër veçse shembje të sipërfaqes për të mbushur hapsirat e krijuara në nëntokë nga shfrytëzimi i trupave të kromit. Hinka e parë ka dalë në vitin 1978 në dyshemenë e një godine që përdorej si impiant për seleksinimin e kromit. Sipërfaqja e vithisur nga dalja e kësaj hinke ishte rreth 100 m2, ndërkohë që fati e deshi që hapsira të gllabëronte vetëm transportierin që shërbente për transportin e mineralit gjatë procesit të seleksionimit. Punëtoret që punonin në turnin e tretë shpëtuan pasi në atë kohë ndodheshin jashtë sipëerfaqes së shembur. Nisur nga kjo ngjarje, inxhinierët specialistë të minierës u angazhuan të studionin shkaqet e shfaqjes së këtyre hinkave si dhe kushtet në të cilat ato mund të dilnin. Për zgjidhjen e këtij problemi janë angazhuar shumë specialistë, ndër të cilët edhe unë. Kështu, në disertacionin e mbrojtur në vitin 1989 për fitimin e gradës shkencore “Doktor i Shkencave”, një pjesë shumëtë rëndësishme të studimit tim ia kushtoja përcaktimit të kushteve kur hapsirat e shfrytëzimit mund ta ndikonin sipërfaqen e tokës nëpërmjet daljes së hinkave. Dhe është fakt që hinkat e dala në vazhdim janë brenda asaj sipërfaqeje, që është përcaktuar si e rrezikshme. Por, për shkak të vlerave që ka minerali i kromit nuk është e thënë që sipërfaqja e territorit në zonat qendrore e veriore të gjejë karar. Riaktivizimi i shfrytëzimit nëpërmjet lejeve minerare përbën një shkak edhe për riaktivizimin e daljeve të hinkave të tjera. Si dalja e hinkave të vjetra  ashtu edhe e këtyre të rejave përbën problem qoftë për objektet që ndodhen në këto zona qoftë për njerëzit (punonjës të firmave që shfrytëzojnë mineralin apo kalimtarë të rastit). Ishte pikërisht kjo situatëqë kërkonte zgjidhje. Dhe zgjidhja u mendua të realizohej nëpërmjet krijimit të hartave të gjeoriskut për të rajonizuar zonat sipas shkallës së rrezikimit të tyre. Krahas kësaj trajtohen dhe shanset që lindin për të shfrytëzuar në nëntokë pa rrezikuar as njerzit as objektet në sipërfaqe. Kjo është me pak fjalë problematika me të cilën merret monografia e botuar. Natyrisht që zgjidhja është realizuar duke përdorur metoda bashkëkohore të përpunimit të të dhënave hapsinore. Në rastin konkret është ndërtuar një model origjinal, ku nëpërmjet futjes së thellësive të pikave që përbëjnë sipërfaqet e kontaktit të deluvioneve me shkëmbinjtë rrënjësorë, sipërfaqet e kontaktit të tavanit dhe dyshemesë së trupave me shkëmbinjtë rrethues prodhohen të ashtuquajturat sipërfaqe ndikimi, nëpërmjet përfshirjes së të cilave në model hartografohen zonat me shkallë të ndryshme rrezikimi. Më tej duke konsideruar edhe mundësitë e dëmtimit të objekteve në sipërfaqe ndërtohen hartat e risqeve dhe shanseve.
Po cila është vlera konkrete e kësaj monografie?
Ndërtimi i hartave të gjeoriskut orienton gjithë aktivitetin për mënjanimin apo zvogëlimin e dëmeve minerare. Duke marrë në konsideratë riskun apo shanset ndërtuesit projektojnë objekte që i rezistojë ndikimit apo marrin masa që këto objekte ti ndërtojnë jashtë zonave të ndikimit. Gjithashtu këto harta u duhen urbanistëve për të planifikuar përdorimin sa më efektiv të tokës në rajonet minerare si dhe ambientalistëve për tëminimizuar ndikimet e dëshme në ambient si rezultat i shfrytëzimit të mineraleve të dobishme.
Çfarë të rejash sjell ky punim në aspektin shkencor?
Siç ju thashë më sipër në këtë monografi është paraqitur metodika e ndërtimit të një modeli origjinal për ndërtimin e standartizuar dhe të automatizuartë hartave të gjeoriskut. Botuesi i kësaj monografie ka verifikuar origjinalitetin e saj ndërkohë që saktësia e rezultateve lidhur me hartografimin është verifikuar nga daljet e deritanishme të hinkave në zonën veriore dhe qendrore të minierës së Bulqizës.
Pra në këtë punim tuajin Bulqiza evidentohet edhe si një burim i rëndësishëm vlerash për studime shkencore?
Jo vetëm. Janë me qindra punimet e diplomave të realizuara nga studentët në vite, në të cilat janë trajtuar probleme që kanë në bazë të dhëna nga vendburimi i Bulqizës. Janë me qindra edhe artikujt e botuara, jo vetëm në shtypin vendas por edhe atë të huaj, që kanë në bazë ndërtimin dhe vërtetimin e hipotezave që konfirmohen me të dhënat e vendburimit të Bulqizës. Nuk po përmend këtu edhe dhjetra disertacione që janë mbrojtur me sukses duke patur si objekt studimi veprimtarinë kërkuese, zbuluese dhe shfrytëzuese  të vendburimit të Bulqizës.
Përgatiti: Halil RAMA

S'KA KOMENTE