36
Nga Neki OSMANI*
Grazhdani, vendbanim i lashtë ilir
Në antikitet, treva dibrane quhej Penestia, që banohej nga fisi ilir, Penestët. Në pragun e pushtimit romak, në teritorin e Penestëve kishte 14 qyteza dhe kështjella, ku më e rëndësishme ndër to, ishte Uskana, qytet i rrethuar me mure të trashë. Sipas historianit Tit-Livi, mësojmë se Uskana është qyteti më i madh i Penestëve.
Në periudhën e hershme, të shekullit të dytë e të tretë, pas Krishtit, ka ekzistuar një vendbanim i hapur urban, i pa rrethuar me mure. Sistemi fortifikues me kala kryhet gjatë shekullit të tretë dhe të katërt. Kalaja e Grazhdanit është një fortifikim i tipit kastrum, romak, që i referohet fazës së parë, të veprimtarisë fortifikuese perandorake. Në aspektin kohor, bëhet fjalë për shekullin e tretë dhe fillimin e shekullit të katërt, pas Krishtit. Kjo përkon me kohën e Dioklecianit (284-305), vazhdon me Licininin (305-324) dhe më pas me Konstandinin (324-337). Mbi bazën e këtyre të dhënave, mendojmë se brenda kalasë, ka lindur një qytet I rrethuar me mure. Kjo qendër urbane ka pasur funksione mbrojtëse dhe ushtarake.
Në afërsi të kalasë së Grazhdanit, janë konstatuar rrënojat e dy kalave, që duhet të kenë lidhje me Grazhdanin, Gradishtja e Pesjakës dhe Pujtishtja e Obokut. Këto dy kala kanë pasur pozitë dominuese mbi zonën dhe kanë qenë pika vrojtuese për Uskanën.
Gërmimet arkeologjike, të kryera, brenda dhe jashtë kalasë, tregojnë se kemi të bëjmë me një qendër të rëndësishme urbane. Historiani George Han, në udhëtimin shkencor, që bëri në vitin 1863, flet se në fshatin Grazhdan, ndodhen rrënojat e një qyteti të madh antik, që sipas tij ishte qyteti i Uskanës. Brenda kalasë së Grazhdanit mund të sistemohej një garnizon ushtarak me 10-12 mijë trupa luftarake. Ata mbaheshin të gatshme, për çdo rrezik nga sulmet gote dhe sllave.
Në shekujt e pestë dhe të gjashtë pas Krishtit, kalaja e Grazhdanit, ruan pozitën strategjike, në kontroll të rrugës tregtare dhe ushtarake, që lidhte provincën Epirus Novk, me provincat e tjera si ajo e Makedonisë, Prevalitanisë dhe atë të Dardanisë. Në këtë kohë, Grazhdani ishte qendra e një sistemi të plotë fortifikimesh, që rrethojnë në trajtë kurore, luginën e Drinit të Zi. Aty numëroheshin 12 fortifikime, që garantonin mbrojtjen e zonës.  Sulmet plaçkitëse sllave, të viteve 548-551 dhe të atyre më vonë, bënë shkatërrime të tmerrshme, në gjithë Ilirinë, ku në qendër të tyre ishte dhe kalaja e Grazhdanit. Si pasoje e këtyre sulmeve, qyteti brenda kalasë u shkatërrua dhe humbi funksionet e tij. Më pas, me kalimin e shekujve, u dërmuan dhe muret e kalasë. Gjatë periudhës së mesjetës së hershme, shekujt (VII-XII), vendbanimi tkurret dhe kthehet në qendër fshatare. Kështu, emri Uskana, u zëvendësua me emrin e ri, Debores, që u transformua në Debros-Debor- Dibër, emër të cilin emori krahina e Dibrës dhe qyteti i Dibrës së Madhe.
Kuptimi i emrit Dobra, rrjedh nga sllavishtja, që do të thotë grykë, greminë. Emri Grazhdan, sipas Kristo Frashërit, vjen nga bullgarishtja e vjetër, Grazhvendbanim i rrethuar me mure dhe Grazhdan – qytetar.
Në defterin osman, të vitit 1467, nuk përmendet kalaja e Grazhdanit, por vetëm si fshat me 14 shtëpi, në lindje të kalasë. Në defterin emëror të vilajetit të Dibrës së Sipërme, e vitit 1467, përmendet fshati Grazhdan, timar i Stanishës së çalë (topalli), me 14 shtëpi. Në këtë kohë kanë jetuar këto familjarë: Dimitri Pavlloviçi, Nenko Urançeviqi, Dimitri Konano, Pop Nikolla, Kurto Stari, Bogiç Konano, Llazar Bujani, Pop Dimitri, e të tjerë. Këta banorë paguanin taksa, prodhime në natyrë, si elb, thekër, musht, mjaltë, taksën e arusit, etj.
Defteri i vitit 1583 i fshatit Grazhdan
Në Grazhdan ka gjithsej 76 njësi taksimi.
Nga këto janë:
Tre njësi taksimi muslimane.
40 njësi taksimi kristiane.
27 njësi taksimi beqare.
6 njësi taksimi bashtina.
Kanë paguar 10 penxhe, 1800 akce, taksë për muslimanë 72 akce, grurë 40 kill = 2160 akce. Përzjerje ushqimore 100 kill = 3000 akce, e dhjeta e mushtit 250 akce e dhjeta e bletëve 40 akce, e dhjeta e mëndafshit 250 akce, e dhjeta e frutave 40 akce. Taksë për dy mullinj 60 akce, taksë derrash 30 akce dhe taksë toke 260 akce.
Në defter përmenden këto familjarë: Xhafer Isak-u, Bali Isak-u, kara Memi, Isak Abdullai, Pejo Gjuro, Gjuro Joso, Jofko Bogdan-i, Jofko Nikolla, Jofko Pejo, Bogdan Nikolla, Nikolla Dhimitri, Petko Radin, Todor Dimitri, Nikolla Pale, Jovan Pejo, e të tjerë. Nuk mund të themi se këto familje që përmendëm në defterin e vitit 1583, kanë lidhje me familjet dhe fiset që banojnë sot. Gjatë sundimit të perandorisë osmane, për të mos ju nënshtruar pushtuesit, janë larguar shumë familje dhe kanë ardhur shumë të tjera. Këtë e tregojnë emrat e vendeve, si Kamenicë, Çelebicë, Llazovë. Ka dhe emra parcelash, si ara e Jaçes, ara e Jovanit, emrat e dy kishave, apo varre kristiane.
Grazhdani, me fiset që janë sot, ka filluar të formohet para 250 vjetëve. Tani janë emra të krishterë, por të besimit musliman. Më tej, do të trajtojmë me rradhë fiset me historikët e tyre.
KALAJA, VENDNDODHJA, NDËRTIMI
Kalaja e Grazhdanit, ndodhet në veri të pellgut të Dibrës, në mesin e rrugës, që lidh qytetin e Peshkopisë, me atë të Dibrës së Madhe. Ajo është vendosur në fushën e Grazhdanit, në perëndim të vargmalit të Deshatit, në mes të përroit të Kamenicës, në veri dhe përroit të Bresnicës në jug. Nga ana perëndimore i afrohet luginës së Drinit të Zi. Të dy përrenjtë, kanë krijuar të thelluara, që e bëjnë të vështirë ngjitjen në kala.  Kalaja shtrihet mes kuotave 550 metra dhe 593 metra, mbi nivelin e detit. Ajo ka një pozitë të rëndësishme strategjike, duke mbajtur nën kontroll luginën e Drinit të Zi, që lidhte qytetin brenda kalasë (Uskanën), me arterie të rëndësishme transballkanike, të periudhës romake. Kalaja është monumenti më i madh fushor i rajonit të Dibrës dhe ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri e Ballkan. Nga përmasat e mëdha dhe pozita qendrore në luginën e Drinit të Zi, ajo siguronte një pozitë dominante, në sistemin rrugor, ndërkrahinor, me Strugën, Ohrin, Shkodrën, Prizrenin, Durrësin dhe më gjërë akoma. Ndërtimi i kalasë është bërë gjatë shekullit të tretë dhe të katërt, pas Krishtit, duke u kryer fortifikimi i plotë i kalasë.
Planimetria e saj ka trajtën e një drejtkëndëshi. Gjatësia e murit rrethues është 2760 metra, duke përfshirë brenda një sipërfaqe prej 34 hektarësh.
Lartësia e ruajtjes së mureve sot, lëviz nga një deri në 1,5 metra, ndërsa gjerësia e tyre është 2,8 deri në 3,2 metra. Thellësia e themelit të murit, deri në taban, shkon nga 70 deri në 140 centimetra. Mbi këtë taban natyror është hedhur një shtresë llaçi gëlqeror, me trashësi 19 centimetër, që ka shërbyer si bazë fillestare e murit. Muret janë ndërtuar me gurë lumorë, të madhësisë mesatare, të lidhura me llaç gëlqeror. Përveç gëlqeres, llaçi është pasuruar me rërë lumi dhe guraleca, gjë që i ka rritur qëndrueshmërinë. Muri përbëhet nga faqet anësore dhe bërthama brenda tij. Gurët e mëdhenj janë vendosur në faqet anësore, kurse bërthama është e mbushur me gurë të vegjël, të hedhur në llaçin e bollshëm gëlqeror. Teknika e ndërtimit është tipike e kësaj periudhe, pra e shekullit të tretë dhe të katërt.
Kullat dhe hyrjet
Muret rrethues të kalasë, përforcohen nga 44 kulla.
Ndër to dallojmë katër tipe kullash.
1-Kulla në formë të germës U.
2-Kulla në formë katrore.
3-Kulla në formë drejtkëndëshe.
4-Kulla në trajtë freskorje, që zakonisht ndodhen në këndet dhe në kthesat e forta. Në kala mbizotërojnë kullat në formën e germës U, që përforcojnë muret anësore dhe mbrojnë tre hyrjet e kalasë.  Kullat kanë pasur përmasa të jashtme 8,5 metra deri në 8,4 metra dhe gjerësi të mureve nga 2,2 deri në 2,4 metra. Hyrjet e kullave kanë pasur gjerësi 1 metër deri në 1,2 metra. Këto kulla, sot janë të dëmtuara. Largësia mes tyre nuk është e njejtë. Kjo ka qenë e kushtëzuar nga faktorë topografikë e ushtarakë, të rëndësishëm për kohën. Arësye të tilla, mendohet të kenë qenë: Rrezja e veprimit të shigjetës, forca goditëse e gjuajtjeve, terreni i thyer, kthesat e murit, si dhe ndonjë faktor tjetër. Kështu, largësia maksimale e kullave, në murin verior, në terren të sheshtë, është 40 – 58 metra, në murin jugor varion nga 40 – 43 metra, ndërsa tek këndet, largësia ulet deri në 35 – 40 metra.
Hyrjet në kala
Kalaja ka patur tre hyrje, dy në aksin veri jug dhe një në faqen lindore të saj. Secila nga hyrjet, mbrohej nga dy kulla, të vendosura në formën e germës U, në të dy anët e hyrjes. Në mes të hyrjeve, krijohet një oborr i brendshëm, i fortifikuar, në formë katërkëndëshi, që shërbente si qendra e fundit e asgjësimit të armikut. Hyrja lindore e kalasë, gjendet në vendin e quajtur “kisha” dhe mbrohet nga dy kulla, në formë U-je. Kalaja është fortifikim i tipit të kastrumit në Shqipëri.
Ndërtimet e brendshme në kala
Brenda kalasë, kryqëzohen në kënd të drejtë, dy rrugë kryesore. E para, që bashkonte dy hyrjet kryesore të kalasë, atë jugore, me atë veriore. E dyta, e quajtur, rruga e Çelebicës, sot përshkon qytetin mes për mes, nga hyrja lindore e kalasë. Të dy rrugët priten në pjesën qendrore të qytetit, në parcelën e quajtur Ceste. Aty ruhen mure të ndërtuara, me të njejtën teknikë, ashtu si dhe muret rrethuese. Sipas specialistëve, ata mund tu takojnë godinave shoqërore dhe ushtarake të qytetit. Gjithashtu, në pjesën qendrore, të sipërfaqes së kalasë, në parcelën e quajtur “Ceste”, deri vonë, shihej një pus i thatë, me thellësi deri në dy metër. Vite më parë, në këtë zonë, janë hasur gjurmët e një ndërtese, me dysheme mbi kollona tulle, që i përkisnin njërës prej banjave të qytetit. Në këtë qytet, qendër urbane, mund të shihet një farë stadiumi, në anën jugore të kalasë, që duket se ruan tiparet e një teatri të periudhës romake.
Gjetjet arkeologjike
Gjetjet arkeologjike, Brenda kalasë, i takojnë periudhës së vonë antike dhe tregojnë për një qendër të banuar e sistem fortifikimesh, ku mund të përmendim disa nga gjetjet si:
Bazamente kolonash.
Një kapital i vonë korituik.
Fragmente enësh të periudhës së vonë antike, të gatuara prej brumi argjilor, të përziera me kokrra ranore dhe pjekje të mirë, ngjyrë kafe. Ata mund të ishin tasa, kupa, fragmente çerepi.
Fragmente tullash të vogla, si dhe fragmente tullash me buzë të lakuara. Monedhë bakri e shekullit të gjashtë.
Monedhë bronxi e perandorit Filip (arab), e vitit 247.
Një qyp, me vëllim një metër kub, si depozitë familjare, drithi, e gjetur jashtë kalasë.
Blloqe kuadratike, të gdhendur, në muret e kalasë, prej guri të pastër gëlqeror, me përmasa 60x70x80 cm, të cilët mund të jenë prodhuar nga gurorja e Banjishtit.
Në vitin 1974, kalaja e Grazhdanit është shpallur monument kulture. Turistët që vijnë në Dibër, duhet të shohin atë që i dha emrin Dibrës. Kjo kala është ndër më të mëdhatë në Ballkan, dy herë më e madhe se Butrinti dhe Bylisi. Bëhet fjalë për një nga kështjellat më të famshme të veriut. Është një monument me rol të madh historik, gjeostrategjik, që në periudhën e vonë romake.
Me ndërtimin e rrugës së Arbërit, ajo do të jetë, lehtësisht e arritshme nga turistët, ngjitur me rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë. Specialistët kanë dhënë alarmin e shkatërrimit sistematik, rrënimi i mureve rrethues dhe i objekteve brenda saj. Duhet me urgjencë një plan shpëtimi i kësaj kalaje. Duhet të planifikohen fonde, si për mirëmbajtjen, restaurimin dhe studimin e saj, që kjo kala të kthehet në një atraksion turistik për vendasit dhe të huajt.
Nga libri “GRAAZHDANI I DIBRËS”

S'KA KOMENTE