Portreti dhe shembëlltyra etnokulturore e Grazhdanit

51

 

Dr. Hajri Mandri
Njeriu që nuk interesohet të mësojë prejardhjen e prindërve, dhe farefisit të vet, i shëmbëllen personit të humbur në xhungël. (Proverb)
Këtë libër ja kushtoj Grazhdanit të Dibrës, bashkëfshatarëve të mi të dashur, kudo ku janë. Ja kushtoj fshatit tim, këtij djepi të qytetërimit të lashtë, që gjatë historisë u ndesh me rrebeshe lufte dhe i përballoi me sukses. Këtu kanë lindur e janë rritur burra e gra, të fjalës, besës, trimërisë, bujarisë e mikpritjes. Megjithëse, sot jam 76 vjeç, vendosa t’i futem kësaj sipërmarrje të vështirë, të shkruaj, të udhëtoj në historinë e jetën e bashkëfshatarëve të mi, që e shkuara e tyre të mos rrënohet e harrohet, por duke kërkuar e gërmuar, të evidentohet në një libër. Ky është një libër malli e krenarie për të gjithë ata grazhdanas, që janë larguar nga vendlindja, u shërben për të njohur vendin e origjinës së tyre, si dhe ta ndjejnë veten krenarë, që janë nga Grazhdani.
AUTORI
Libri “Grazhdani i Dibrës”, shkruar nga Neki Osmani është një përpjekje serioze për të dhënë në dimensione dhe detaje, në hapësirë dhe në kohë, portretin dhe shembëlltyrën etnokulturore të fshatit. Me pasion dhe dashuri, autori u dhuron bashkëfshatarëve të tij një databazë të plotë historiko-kulturore të Grazhdanit, duke i përjetësuar ato në këtë monografi publicistiko-dokumentare, si një ese e gjatë, e këndshme për t’u lexuar. Një skedë e rëndësishme dhe e vlefshme për fshatin Grazhdan të Dibrës që sjell në kujtesë të kaluarën e largët të mugëtirës historike deri te e sotmja e jetuar, është kapitulli që përshkruan të dhënat nga arkivat turke deri tani. Portretizimi i Kalasë së Grezhdanit, si fortesë lufte dhe qëndrese, përbën një shembëlltyrë historike që evokon historinë e fshatit dhe traditën qytetëruese të tij, ndikimin dhe kontrollin mbi infrastrukturën provinciale përgjatë shekujve të V dhe VI. Gjeneza, antropologjia, shestimet historiko-kulturore, toponimia, janë fusha ku autori Neki Osmani i shenjon me kompetencë dhe mbi argumente të qëmtuara nga literatura burimore shkresore apo gojore, duke kontribuar kështu në ndriçimin e portretit retrospektiv të Grazhdanit. Sendërtimi i jetës ekonomiko-sociale, kulturore dhe qasjet filozofike të banorëve të këtij fshati jepen në sinkron me lindjen dhe formësimin e Grazhdanit, 250 vjet më parë. Narrativa natyrore jepet me një pasion të veçantë dhe me detaje që kultivojnë dashurinë për vendlindjen dhe thyerjen plot ngjyra dhe dritë të realitetit gjeografik të Grazhdanit. Kapitulli mbi fiset që formojnë fshatin përbëjnë një unitet të pjesës dhe të tërës që realizon spektrin human me të dhëna të sakta, ku autori është mjaft i matur në vlerësime dhe skrupuloz në kërkime. Filozofia e jetës, heroizmi dhe traditat më të mira përcillen nga brezi në brez duke ruajtur kohezionin e brendshëm në fushën e filozofisë dhe mënyrës së jetesës, të moralit, të kulturës dhe të zhvillimit ekonomik. Secili fis ka të veçantat e tij, si valencë përbashkuese të virtyteve që portretizojnë fshatin. Autori nuk mjaftohet në përshkrime të thata e deskriptive por me detaje, shembëlltyra, ngjarje, skena e mizanskena nga jeta e bashkëfshatarëve të tij, zhvillon mjaft ide humaniste dhe me vlera që i flasin kohës që jetojmë. Dashuria për punën, për shtimin e të ardhurave familjare, për arsimimin, për hapjen në emigrim drejt kulturave dhe përvojave qytetëruese, i japin këtij komuniteti veçantinë që të rrezatojë një bashkëjetesë harmonike. Bëmat dhe puna titanike e njerëzve të shquar të fshatit, e mësuesve dhe intelektualëve që i paraprinin kulturave dhe zhvillimit, jepen me detaje të freskëta dhe ilustrime letrare që e bëjnë librin të këndshëm gjatë rrëfimeve lirike. Jeta në familje dhe tradita në gatim, mikpritja, rregulli dhe higjiena, festat tradicionale, ritualet fetare, veshjet, kultura e punës, estetika mjedisore, dasmat dhe gëzimet janë mesazhe të forta dhe mbresëlënëse që i japin librit vlerë didaktike, folozofike e morale në fushën e studimeve etnokulturore. Autori përveçon disa nga personalitetet më të shquar të Grazhdanit duke theksuar tiparet më substanciale të tyre si shembuj udhërrëfyes për të tjerët. Gjuha e përdorur nga autori është e thjeshtë, e kuptueshme dhe herë-herë me frazeologjizma plot kolorit lokal që vijnë natyrshëm në ligjërimin etnografik duke i dhënë librit finesë dhe hijeshi në komunikim me lexuesin.

S'KA KOMENTE