Lamtumirë Ilmi Manjani !

156
Ing.Nezir LICA
Sapo kishte mbaruar punët e ditës dhe tekniku Ilmi Manjani do të telefononte nga objekti i largët për të rejat e ditës. Zëri i tij vinte me entuziazëm se po ja arrinim qëllimit. Po kapnim trupin xeheror të kromit, dhe nga puna e bërë sqaroheshin shumë enigma.
Inxhinier, të fala! Po e justifikojmë punën e bërë. Po ta sjell në video shfaqjen e trupit xeheror, që e zhveshëm sot.
Por pa kaluar as 25 minuta, ne celularin tim vinte një zile nga kolegu im, inxhinieri Kurt Skara, dhe me një zë therës me tha: vdiq Ilmiu, na la Ilmiu!…
Isha i detyruar të besoja të pabesueshmen. Çfare kishte ndodhur këto 25 minuta në objektin e largët të minierës?!
Në pushimin e pasdites, pas punës, të mbledhur dhe duke biseduar në bisedë e sipër, mes shokëve Ilmiun e godet në mënyrë fatale, një infrakt i zemrës, duke e ulur përgjithmonë dhe duke e ndarë nga ne, mikun, shokun, teknikun e prindërin shembullor.
Me datë 9 nëntor 2018 në qytetin e Bulqizës, do të mblidheshin me mijëra miq e dashamirës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, për ta përcjell këtë gjigand ashtu siç i kishte hije këtij punëtori, intelektuali dhe prinderi të mirë. Duke u ndarë nga ne, Ilmiu dha më shumë sesa mori, na dha këshillën e shokut dhe të mikut të mirë, na dha përkujdesjen në punët e minierës, na dha dashurinë për njëri tjetrin.
I pa harruar shoku im Ilmi Manjani!
Njohja me Ilmiun do të bëhej atje në frontin më të vështirë, në thellësitë e minierës, në horizontin e nivelit të gjashtë të pusit nr 2. Sapo kisha mbaruar studimet universitare dhe isha emëruar të punoja gjeolog në sektorin e nivelit të gjashtë, ku përgjegjës gjeta Ilmiun.
-Mirë se erdhe inxhinier dhe paç këmbën e mbarë. Do t’ia dalim, punojmë në front të vështirë, por këtu kanë punuar dhe të tjerët dhe ja kanë dalë. Bile me sukses, e pse dhe ne të mos ia dalim?!
Kurajua ishte ajo që më dha Ilmiu kur isha vetëm 24 vjeç. Direkt nga bangat e shkollës do të orientonim, drejtonim, përgjithësonim e të interpretonim trupin xeheror që të bëhej gati për shfrytezim.
Vitet do të kalonin me atë egërsinë e viteve të fortunave, por nuk duhej të mposhteshim. Nuk mbarojnë mbresat e kujtimet për Ilmiun. Do të na caktonin turnin e tretë të ndiqnim punët e prodhimit dhe më takonte që të isha me Ilmiun, e orët do të kalonin, se mësoje shumë gjëra, që nga ato të pavlersueshmet deri tek rregullat e sigurimit teknik në punë. Do të të ndihmonte të ishe i kujdesshem dhe fjalëpak e te “kujdesshëm” se merrte fjala dhenë, sikur çdo gjë vigjëlonte, dhe ne ishim në pritë.
-Janë vite të vështira inxhinier, por t’u ruhemi fortunave, të shkojmë pas kohës!
Ilmiun e kishim gjithmonë një shok që na gjendej pranë. Do të bënte si të bënte dhe do të vinte në gëzimet tona. Mbaj mend që për të ardhur në një gezim në familjen time në Kacni, kanë rrugëtuar mbi pesë orë në kembë…Kjo në vitin 1987…
Kemi shkuar në Vlorë, Korçë e shumë vende për gezime, e Ilmiu përcillte dashuri e respekt, mirënjohje për të gjithë.
Ilmiu ishte njeriu i sakrifices, i punës së rendë. Atje ku ku lindte avarija do të ishte Ilmiu të bënte zgjidhjen, që puna të mos ndërpritej. Aty mes punëtorëve, në frontin e punës, pranë duckave, në fronte që të përkujdesej për sigurimin teknik. Ku ishte më e vështirë, atje do të gjendej, në krah të minatorit.
Gjatë punës në minierë pësoi dhe një aksident, duke e thyer shumë këmbën. Të lidhur ashtu me pllake, e shoqëroi deri në fund të jetës, por kurrë nuk do ta dalloje.
Vitet e fundit, ndonëse ishte në pension puna e thërriste, duke e ndërprerë atë për t’iu rifutur edhe njëherë punës si në vitet e rinisë. Ndonëse në moshën 60 vjeçare Ilmiu nuk ju nda minierës. Ajo e donte teknikun e aftë, por dhe Ai e donte punën në minierë pasi, siç thoshte edhe vetë: kromi të rrëmben, vagonët me krom, kur i sheh të çlodhin.
Punët e deshën që me Ilmiun të punojmë përsëri bashkë në galerinë 12- të të Zonës “D”, por tani jo më ai inxhinieri i ri. Po kështu dhe Ilmiu, por me pjekurinë e viteve, me eksperiencën e punës, ama me kokën të zbardhur nga thinjat e jetës.
-U bashkuam përsëri o inxhinier, por tani nuk jemi më në organizatën baze, por më të lirë, më të kënaqur….
Falë ndërgjegjes së tij të lartë, të skalitur në punët e minierës, Ai do ta kishte shumë të vështirë mosrelizimin e detyrave.
Administratori i minierës, Mond Isaku do ta mbante Ilmiun si asetin kapacitetativ teknik të kompanisë së tij. Inxhinieri i minierës Kurt Skara, do të ishte më i qetë gjatë gjithë kohës, se Ilmiu si teknik miniere ishte i saktë dhe i kujdesshëm, si në anën teknike ashtu dhe organizative. Po kështu dhe Ilir Alliu do të fitonte eksperiencën teknike, organizimin teknik të punëve në miniera, duke punuar e drejtuar bashkë për një periudhë pesëvjeçare.
Kënaqëshe kur e dëgjoje duke diskutuar për punën, se ta mbushte mendjen, e fjala i zinte vend. Aty me punëtorët, përkujdesjen ndaj tyre nuk e hoqi deri në momentin e fundit dhe kjo ishte ajo që Ilmiu ndrroi jetë në prehërin e shokëve të tij, që i deshi dhe respektoi shumë. Fjalën e fundit me punëtorët e ndau, por e veçanta është se 20 minuta para ndarjes nga jeta na përshëndeti dhe na uroi: Rrugë të mbarë! Me punë arrihet gjithçka… Ai iku në botën e përtejme duke na lënë shumë.
Ishte planifikuar nga një grup nismëtar që me datë 10 nëntor, në qendër të qytetit të Bulqizës të mbahej një takim brezash, me inxhinierët e teknikët që kishin punuar ndër vite. Ata që erdhën nga vende të largëta, do kërkonin ta takonin Ilmiun, por Ai nuk ishte më. Në kujtimet e tyre kishte lënë punën dhe dashurinë.
Ne, që duam të flasim për punën, që të pimë kafe pasdite e të diskutojmë për problemet e ditës, Ilmi nuk të gjejmë, por ti ke mbetur në zemrat tona, i pa harruar,
Qoftë i lehtë dheu mbi trupin tënd Ilmi.
Lamtumirë……..

S'KA KOMENTE