Tv “Mati” në 20 vjetorin e fillimit të transmetimeve

33

Mustafa Gjinaj

Njëzet vjet më parë, askush nuk do e merrte me mend dhe le më që ta besonte se ne do arrinim të festonim 20 – vjetorin e krijimit të TV “Mati”, përveçse njërit, i cili që më parë e ëndërronte, kishte qartësuar në mendjen e tij idenë për t’i shërbyer kësaj zone, këtij komuniteti. Dhe ai do të ishte pikërisht Luftim Vani, i mbështetur fuqimisht nga Afrimi dhe gjithë familja e tij.
Në fillim të viteve ‘’90-të gjithçka shkoi në degradim të plotë. I vetmi kanal shqiptar, RTSH doli jashtë funksionit në këtë zonë. Sikur të mos mjaftonte shkatërrimi i ekonomisë në tërësi erdhi dhe viti i mbrapshtë 1997, viti i marrëzisë dhe çmendurisë kolektive.
Mati është ndër rrethet që e ka përjetuar jashtëzakonisht keq këtë periudhë, ka humbur një numër të madh djemsh të rinj. Hasmëria po instalohej dita ditës dhe s’kishte një dritare ku të bëhej thirrja: Mjaft, ulni armët, kthjellohuni, jemi vëllezër!… Po ashtu po trokiste dhe lufta në Kosovë. Luftim Vani si të gjithë shqiptarët e ndershëm përjetonte dhimbjen e popullit vëlla kosovar i cili kishte marrë karvanet e largimit nga trojet e veta nga masakra serbe… Pikërisht në këto kushte ai mendoi që të hapte një dritare komunikimi, informacioni, një dritare të fjalës së urtë matjane. Pra Tv “Mati” lindi si domosdoshmëri për t’i bërë ball së keqes, brenda dhe jashtë.
Kjo do ishte shtysa për të ndërtuar Tv lokal “MATI”. Dhe sot ky Tv, pavarësisht se është lokal ka në radhë të parë një staf të kualifikuar, një studio moderne bashkëkohore dhe vazhdon misionin me politika editoriale të orientuara rreptësisht në interesat e qytetarëvë matianë e më gjerë. Transmeton me një teknologji në sistemin bashkohor dixhital. Janë transmetuar me mijëra orë emisione në funksion të edukimit atdhetar të të rinjve dhe promovimit të vlerave më të mira.
Tv “Mati” ka ditur të ruajë në mënyrë të përsosur raportet ndërqytetare me politikën, fetë dhe kulturën.
Si dallëndyshe e parë, Tv “Mati” ka qenë mbështetje dhe për televezionet tjera lokale si Tv “Bulqiza”, Tv “Kukësi”, Tv “Lezha” e televizione të tjeta anëtare të Shoqatës Radiotelevizive Kabllore valore.
Natyrisht e ardhmja do jetë më e mirë dhe ky televizion do të jetë elitë në median lokale shqiptare.
Suksese të mëtejshme në punën e tij fisnike, në rritjen e cilësisë së programacionit, informacionit dhe shërbimeve ndaj komunitetit.
*Sekretar i Shoqatës Radioteleizive – Kabllore- Valore, Rrtl

S'KA KOMENTE