U shua poeti Islam Çenga…, por jeton poezia e tij

100
Me datë 5 nëntor 2018 u nda nga jeta Islam Çenga.
Islam Rrahman Çenga nga fshati Pilafe i Dibrës, rritur në qytetin e Peshkopisë, mësimet e para dhe shkollën e mesme i kreu në qytetin e Peshkopisë . Më pas ai studioi në Universitetin e Shkodrës në degën e Historisë dhe filologjisë .
Ka shërbyer si mësues historie dhe letërsie në shumë shkolla të Dibrës si dhe në shkollën e mesme të qytetit të Bulqizës. Pas viteve ‘’90-të u shpërngul në qytetin e Tiranës. Ai shërbeu në Ministrinë e Brendëshme në Drejtorinë e Përgjithëshme të Policisë së Shtetit, në sektorin e Marrëdhënieve me Publikun dhe Mediat.
Pasioni i tij i hershëm ka qenë poezia.
Islamin e njoh dhe e kam lexuar që herët. Ai ka shkruar që në gjimnaz dhe ka botuar në faqet e shtypit lokal e në gazetën “Zëri i Rinisë”. E vazhdoi rrugën e poezisë në Universitetin e Shkodrës. Më pas do të ishte poezia ajo që nuk e lëshonte atë. Ai ka shkruar pesë vëllime me poezi dhe qindra reportazhe e artikuj në shtypin e përditshëm.
Në qytetin e Bulqizës, një grup shokësh krijues rrinim së bashku unë, Islami, Hajri Mandri, Simon Kaca, poeti ushtarak që nuk jeton më, Halil Rama, kompozitori Xhelil Ymeri, piktori dhe muzikanti Azem Teta, etj dhe diskutonim për artin dhe letërsinë. Në qytetin e ftohtë minator funksiononte një klub letrar dhe Kinoklubi “Minatori”, ku bëheshin konkurse letraro-artistike, viheshin në skenë drama, bëheshin festivale e jepeshin koncerte.
Pra Islami nuk është poet i rastësishëm. Ai është një poet që i përket sojit të poetëve. Ai ka shkruar pesë vëllime me poezi dhe nuk është hallakatur në gjini të tjera të letërsisë. Poezia e I.Çengës është poezi e dalë nga shpirti, poezi komunikuese me qiellin dhe me retë, me natyrën dhe me njerëzit, me vendlindjen dhe me gjithçka që e rrethon.
Për lexuesin e qytetit të Bulqizës ku ai punoi si mësues dhe për gazetën “Bulqiza” po paraqesim një cikël me poezi nga vëllimi i i tij i fundit “Një pëllëmbë qiell” .
Përëndeshës
Ti je përëndeshë e bukurisë
Ta kam thënë mot për mot
Po ta them edhe sot
Dy fëmijë si drita më ke falur
Pleqërinë ka kohë që ma ke ndalur
Shkurt, më dhe ato që desha
Ç’mund të bëjë më tepër përëndesha ?!
Njerëzit e qytetit tim
Kur pragun shkel, qyteti im
Më bëhet sy, më bëhet frymë, fëmijë më bëhet
Dhe lojë… dhe gunë
Dhe nuk më lë të plakem asnjë ditë
Asnjë thinjë të më shtohet në gunë
Le të jetë janar apo gusht
Le të jetë e hënë apo e shtunë.
I lindur jam në fshat
Kam lindur në fshat
Në odën e poshtme me dritare nga jugu
Kërthizën ma preu nëna Mude
Dhe e hodhi gjithë bekime në përroin e fshatit
Përroi i fshatit e përcolli në Drin
E Drini në det
Atje kërthiza ime e kriposur ende fle në djepin e perlave
Dhe në shilarsen e valëve ende luhatet
Në odën e poshtme për së pari kam qarë
E më thirrën me emrin mysliman të gjyshit
Dhe gjyshi emrin e gjyshit të tij kishte marrë…
Atdheu jam unë
Iu afrova Atdheut
E qënia u shëndrrua në Myzeqe
E kryet në Korab
E sytë në Jon
mollëzat Zagori’
E krahët Çamëri
E shtati në Kosovë
E balli në Ulqin
E malli Trebeshinë
E ëndrra në Janinë
E fjala në Moravë
Ë zëri në Strugë
e Dashuria në Bunë …
Si skifter fluturova drejt qiellit blu
E që atëherë
Atdheu jam unë.
Përgatiti: Sakip Cami
Poet dhe studiues

S'KA KOMENTE