Artistët bulqizakë në festivalin “ODA DIBRANE”

59

Për katër netë me radhë në qytetin e Peshkopisë u zhvillua festivali “Oda Dibrane”. Më shumë se 500 artistë të ardhur nga të gjitha trojet shqipfolëse performuan në skenën e Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli”. Pjesëmarrësit vlerësojnë maksimalisht festivalin pasi vit pas viti grupet sjellin vlerat e folklorit.
Ajo ç’ka e bën të veçantë këtë festival është jo vetëm pjesëmarrja e të rinjve në përbërje të grupeve, por kriteret strikte sa i përket kostumografisë dhe materialeve që sjellin. Në këtë festival mori pjesë edhe grupi artistik i Qendres Kulturore Bulqizë, drejtuar nga drejtoresha e këtij institucioni Vjola Gjikola. Artistët bulqizakë zbritën në skenën e pallatit të kulturës me një program modest, me këngë, valle e melodi me instrumenta popullorë. Programin e ketij grupi e hapi këngetari Agim Huna dhe grupi i vajzave me këngën “I thuj asaj cucës”. Më pas vijuan me numrat e tjerë të këtij grupi, si melodi me bilbil, interpretuar me mjeshtëri nga instrumentisti Besnik Dema, kënga “Iku dimri, iku vera”, kënduar nga Hajri Alimani dhe grupi i vajzave, duke ia lënë vendin më pas valles me motive nga Golloborda, e cila u interpretua nga grupi i vajzave të Gollobordës. Me mjaft nivel u paraqitën edhe vëllezërit Xhevat e Zabit Kodra, të cilët shoqëruan grupin me instrumentat e tyre, curle e lodër. Ranë në sy edhe kostumet popullore të Bulqizës dhe zonave te saj, të cilat i dhanë një bukuri dhe larmi ngjyrash këtij festivali.
Në fund juria nderoi me Çrtifikatën e këtij festivali instrumentistin Besnik Dema, për interpretim me nivel në instrumentin e bilbilit.

S'KA KOMENTE