ELONA LOPARI, vajza shqiptare, e suksesshme në New York

1476

Nga HALIL RAMA

Personazh të kësaj historie suksesi të shqiptarëve të shpërndarë në të gjithë botën do të kemi Elonën nga Tirana që jeton me familjen e saj në New York.
Elona Lopari (Lami) ka lindur në Tiranë në vitin 1984 në një familje dibrane të ardhur nga Bulqiza qysh në vitin 1982. Mësimet e para i mori në shkollën 9-vjeçare “Ramazan Jarani” ku mbaroi 9-vjeçaren me rezultate të larta. Në vitin 1999 pasi kishte mbaruar një vit të gjimnazit, u largua nga Shqipëria bashkë me familjen pesë anëtarëshe për në New York të SHBA, ku një vit më parë qe vendosur si emigrant babai i saj, Mustafa Lami. Natyrisht që Elona bashkë me motrën 12-vjeçare, Eluertën dhe vëllain 10 vjeçar Erlandin, u gjendën në një ambjent befasues, ku ju duhej të përshtateshin me jetën e re, me kushte shumë më ndryshe se në Tiranë, ku kaluan fëmijërinë. Në pak kohë, fëmijët e familjes “Lami” nga Tirana, arritën të perfeksionojnë gjuhën angleze dhe të jenë në grupin e nxënësve të përparuar, sejcili në klasat ku gjëndeshin, duke befasuar mësuesit dhe bashkëmoshatarët që ishin me kombësi nga disa kontinente.
Në New York, Elona 15 vjeçare rifilloi shkollën në kolegj ku arriti shumë shpejt të shpalosë aftësitë e saj më të mira në përmbushjen me sukses të detyrimeve shkollore dhe përshtatjen me jetën e re në shoqërinë multietnike amerikane. Pas përfundimit të kolegjit në Brooklyn, Elona ishte e përzgjedhur për të vazhduar arsimin e lartë nga disa universitete, por ajo bahcelorin e vazhdoi me sukses në Science in Business Management and Finance, që e përfundoi në vitin 2005. Qysh në fazën e studimeve të larta ishte e përzgjedhur nga disa kompani për të punuar. Ajo vendosi të filloi punën në vitin 2005 në kompaninë WALGREENS, në pozicionin si Menaxhere Distrikti për 15 dyqane të mëdha me rreth 400 punonjës. Në vitin 2017 përfundon specializimin në Udemy University Professional Life Coaching Certification – ALC Accreditation. Në vitin 2018 Elona Lopari u certifikuar dhe akreditua si trajnere, ajo ndërkohë që vazhdon punën në pozicionin Menaxhere Districti në kompaninë WALGREENS.

ARTI I LUMTURIMIT TË PUNONJËSVE
Elona në vitin 2018, pasi u certifikua si trajnere në degën Business Management and Finance, ka ngritur edhe kompaninë e saj, “FULFLILLED EMPLOYEES” (Punonjës të Përmbushur), ku misioni i Elonës është që ajo të përdorë specializimin e saj dhe 15 vite eksperiencë në menaxhim, në trajnimin e punonjësve të çdo lloj pozicioni të punëve me interes për kompaninë, ku ajo tashmë punon prej shumë vitesh.
Shërbimet që Elona Lopari ofron në kompaninë e saj FULFLILLED EMPLOYEES do të jenë si këshilltare biznesi me pronarët e kompanive nga më të vogla, deri në kompani më të mëdha, të kapacitetit mbi 500 punonjës. Ajo do të ofroj këshillim këtyre pronarëve, se cilat janë disa nga strategjitë e ndryshme që mund të përdoren që të motivosh dhe të nxjerrësh në pah aftesitë më të mira të çdo punonjësi, në çdo lloj pozicioni, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në rritjen e fitimeve të bizneseve të tyre. Si rezultat i këtyre trajnimeve punonjësit do të munden që të jenë besnik dhe të besojnë në vizionin për biznesin e tyre të gjërë. Së dyti, në këto trajnime Elona ka synime të ofrojë, aftësimin e të trajnuarve, që të mund të shkojnë në ambientet e biznesit të tyre dhe të këshillojnë punonjësit e fushave të ndryshme që kanë të bëjnë me përformancën e tyre. Gjithashtu ajo ka planifikuar me kujdes edhe vizitat në vendet e punës për të konkretizuar efektet e trjnimeve direkt në përformancën e bizneseve dhe në rritjen e fitimeve. Së treti, Elona në planifikimet e saj ka menduar që trajnimet mund ti vazhdojë me pjesmarrjen në mbledhjet e kompanive për të motivuar punonjësit e tyre në arritjen e suksesit.
Ajo është e vendosur se, përmirësimi i produktivitetit arrihet përmes lumturisë së punonjësve dhe arti i lumturimit të punonjësve, mund të përmbushet duke krijuar një forcë punëtore mjaft të motivuar. Elona kujton thënien e Rick Pitino se: “E vetmja mënyrë për t’i bërë njerëzit të punojnë shumë, është t’i motivosh ata. Sot, njerëzit duhet të kuptojnë pse duhet të punojnë shumë. Çdo individ në një organizatë duhet të jetë i motivuar të bëjë diçka të ndryshme”. Edukimi i biznesit është mjaft i rëndësishëm për të arritur qëllimet e realizimit të objektivave të planifikuar. Elona në trajnime përmend shpesh se: “Suksesi nuk matet nga pasuria, por nga aftësia për t’u përqëndruar në gjërat që kanë rëndësi për ju”, dhe ajo vazhdon me këmbëngulje të theksojë se: “Unë nuk dua vetëm të mbijetoj, prandaj unë do të vazhdoj të përpiqem për të arritur objektivat.” Elona gjatë trajnimeve vazhdon me intensitet të ndihmoi pronarët e bizneseve të bisedojnë me ata punonjës të tyre që nuk e kanë realizuar detyrën që të ngushtohet hendeku në mes ku ata janë dhe të motivohen për aty ku duan të jenë.

PËRKUSHTIMI NDAJ FAMILJES
Elona Lopari rëndësi i ka kushtuar edhe jetës normale familjare. Për Elonën sukseset në jetë fillojnë nga familja e suksesëshme. Është martuar me Xhemali Loparin nga Elbasani që gjithashtu drejton me sukses biznesin e tij në fushën e ndërtimeve, po aty në New York. Ata i gëzohen jetës me dy fëmijë të mrekullueshëm, Biankën dhe Elvisin që rriten të lumtur në një shtëpi të tyren bashkë me prindërit dhe gjyshërit në sajë të punës së suksesëshme dhe të përkushtimit permanent, për të ecur gjithnjë me hapin që kërkon koha e re që jetojmë sot, kudo që të ndodhemi.
Ky ishte një nga rastet e suksesit që arrijnë familjet shqiptare në vende të ndryshme, por jemi të bindur se shëmbuj të tillë ka dhe në vende të tjera. Kemi detyrë ti gjejmë një e nga një ata, kudo që të ndodhen, pasi arritjet e tyre janë shëmbulli më i mirë se si ndërtohet jeta e suksesëshme me punë e përkushtim pozitiv, duke nderuar vehten e tyre, por kështu ngrihet më lart edhe emri i vendlindjes, i Shqipërisë që ata mbajnë në mendje e në zemër.

S'KA KOMENTE