Vazhdon puna në Rrugën e Arbërit, do të nisë ndërtimi i urës së Vashës

612

ATSH/ Vazhdon me intensitet të lartë puna në kantierin e ndërtimit të rrugës së Arbrit e cila do të jetë realitet brenda tre vjetësh. Rruga do të shkurtojë kohën e lidhjes së Klosit, Bulqizës e Burrelit me Tiranën, duke sjellë lehtësi të mëdha për banorët e këtyre zonave.
Para pak ditësh u shënua edhe hapja e tunelit T5, 500 metër i gjatë, ndërsa përtej tij do të fillojë ndërtimi i Urës së Vashës e cila do të kryejë lidhjen në anën tjetër të rrugës në drejtim të Bulqizës.
Rruga e Arbrit është projekti i parë i rëndësishëm që do të ndërtohet në kuadër të programit “1 miliard për Rindërtim”.
Puna që pas çeljes së kantierit ka vijuar me intensitet të lartë. Rruga do të shkurtojë lidhjen e Klosit me Tiranën në më pak se 30 minuta, të Bulqizës në më pak se 40 minuta, por edhe do të çlirojë energji të shumëfishuara zhvillimi edhe për Burrelin, që do të lidhet me Tiranën për 1 orë.

KONSULTIM PUBLIK: “NDIKIMI I NDËRTIMIT TË RRUGËS SË ARBËRIT NË MJEDIS”
Në kuadër të projektit për Rrugën e Arbërit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Bashkia Bulqizë organizuan pranë bashkisë Bulqizë një konsultim publik me objekt “Funksionimi dhe ndërtimi i Rrugës së Arbërit”. TV “Bulqiza” bën të ditur se në këtë takim, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të qeverisjes lokale, kompanisë koncensionare dhe qytetarë të interesuar, banorë brenda juridiksionit të bashkisë Bulqize u trajtuan një sërë problematikash dhe u fol mbi këtë projekt. Shqetësimet kryesore dhe që lidhen drejtëpërdrejtë me ndërtimin e Rrugës së Arbërit kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin e inerteve, frika e përmbytjeve nga prurjet e zallit, ndërtimin e një rruge dytësore, ndërtimi i një nënkalimi apo mbikalmi etj. Por ajo çeshtje që krijoi një debat mjaft të nxehte ishte ajo e shpronësimeve. Fermerë të rrethit të Bulqizës kërkuan me ngulm një përgjigje se çfarë do të ndodhë me tokat e tyre. Ata u shprehën se kanë plotësuar të gjitha dokumentacionet e duhura, por nuk dinë kujt t’i drejtohen.
Banorët vlerësojnë se ndërtimi i Rrugës së Arbërit është një e mirë publike e dëshirueshme nga të gjithë, por nga ana tjetër duhet të shihet e udhës dhe si diçka korrrekte që fermerët të marrin një përgjigje se çfarë do të ndodhë me fatin e pronave dhe tokave të tyre, të cilat preken drejtëpërdrejtë me realizimin e kësaj rruge. Ndërkohë, Mirush Sula, teknik ndërtimi pranë firmës nënkontrakore “Selami SHPK” u shpreh në fjalën e tij në lidhje me këtë problematike. Ai tha se problemi i shpronësimeve shumë shpejt do të marrë zgjidhje, pasi është kerkuar që të ngrihet një komision i cili do të zbresë në terren për të kryer verifikimet përkatëse.

S'KA KOMENTE