Do të na mungosh Elmir !

4753

•    Gjatë viteve 1990 si të gjithë studentët e atij brezi dhe Elmiri mori pjesë në Lëvizjet e Dhjetorit për ndryshimin e sistemit komunist, siç ishte protesta tek Greva e Urisë, Rrëzimi i bustit të Diktatorit deri në themelimin e Partisë Demokratike. Këto lëvizje formësuan Elmirin si një antikomunist që mbështetej në principe liberal-demokrate, bindje këto që e shoqëruan gjatë gjithë jetës dhe mbetën të pandryshueshme    

 

Pasditja e datës 2 gusht 2018 ishte fatale për mikun e shokun tonë të ngushtë Elmir Isaku dhe Familjen e tij. Një aksident tragjik, automobilistik, i mori jetën inxhinierit të talentuar që la gjurmë në çdo vend ku ka punuar e jetuar.
Pasditen e të premtes, më 3 gusht 2018, familjarë, të afërm, miq e shokë nga e gjitha Dibra, Bulqiza, Tirana, Burreli, Lezha, Kukësi erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit, prindit, vëllait, shokut e mikut të tyre të mirë, Elmir Isaku. Një përcjellje dinjitoze nga mijëra vetë, i bënë atij nderimet që meritonte.
Elmir Isaku lindi në vitin 1969 në fshatin Grezhdan të Qarkut Dibër.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje me rezultate të shkëlqyera.
Në vitin 1983 u vendos në Peshkopi në konvikt ku vazhdoi studimet në shkollen e mesme për teknik ndërtimi.
Maturën e mbaroi në vitin 1987 me rezultate të shkëlqyera.
Më pas,  po në këtë vit vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ku në vitin 1993, u diplomua me titullin Inxhinier për Ndërtime Civile dhe Industriale.  Më pas Elmiri punoi si inxhinier në sektorin publik në Policinë e Ndërtimit e Shqipërisë, inxhinier në Posta shqiptare dhe së fundmi inxhinier në Prefekturën e Qarkur Dibër. Në sektorin privat punoi si drejtues teknik në kompani private dhe si sipërmarrës privat. Në të gjithë kohën që ka punuar Elmiri është shquar si një profesionist me aftësi shumë të mira drejtuese. Ai la gjurmë si profesionist i shquar duke punuar në detyrën e drejtuesit teknik te “ISAKU” shpk, dhe “Dema Patin” shpk. Gjatë viteve 1990 si të gjithë studentët e atij brezi dhe Elmiri mori pjesë në Lëvizjet e Dhjetorit për ndryshimin e sistemit komunist, siç ishte protesta tek Greva e Urisë, Rrëzimi i bustit të Diktatorit deri në themelimin e Partisë Demokratike.
Këto lëvizje formësuan Elmirin si një antikomunist që mbështetej në principe liberal-demokrate, bindje këto që e shoqëruan gjatë gjithë jetës dhe mbetën të pandryshueshme. Në aspektin njerëzor, Elmiri ishte i veçantë.  Kishte karakter të fortë, dhe kishte një shpirt të lirë.  Ishte shumë i dashur me shokët dhe familjen.  Në çdo tavolinë apo ambient ku ishte i pranishëm kishte vetëm gëzim dhe humor. Tek ai nuk ekzistonte xhelozi apo qejfmbetje.
Në shpirtin e Elmirit ekzistonte Zoti, një tipar që herë pas here e shfaqte dhe e predikonte. Ishte një besimtar i devotshëm. Tek ai gjithmonë do të gjeje dashuri, zemër të hapur, çiltërsi, mirësi, tipare këto të një njeriu me shpirt të madh.
Jeta e tij u ndërpre në mes në një moshë të re, kur familja dhe shoqëria kishte më shumë nevojë për Të. Për ne, shokët, është një humbje e madhe dhe do ta kujtojmë gjithmonë të qeshur, një figurë simpatike që të shtonte gëzimin me humorin e tij. Humbje e madhe për familjen dhe vëllezërit që i deshi aq shumë. Ai la në pikëllim të thellë vëllezërit dhe motrat të cilët e mbështetën, e donin dhe e respekonin aq shumë duke ia bërë jetën të këndshme dhe të dashur. Ishte një vdekje e parakohëshme, e dhimbëshme, tragjike kur mendon se ai ishte në kulmin e lulëzimit të lumturisë familjare.
Një humbje e madhe është për Rajmondën, një intelektuale dhe bashkëshorte shembullore dhe për dy vajzat e vogla që u rritën si engjëj nën kujdesin e tij.
Shpirti yt shkoftë në paqe, në parajsë, Elmir !   Do të na mungosh…!

Ing.Gjuri SHEHU
Ing.Sali SHIRA

S'KA KOMENTE