NËNA TRIMËRESHË SIBE GJURA

368

Sibe Gjura është lindur në fshatin Boçevë të Dibrës në vitin 1908 në një familje me tradita të mëdha atdhetare. Babai i saj Bajram Merxhani dhe nëna Zamane i kultivuan bijës së tyre, Sibes, dashurinë për vatanin dhe për njerëzit. Vëllai i Sibes u vra nga serbët tek Ura e Qytetit në vitin 1914 kur serbët qenë nisur drejt pushtimit të Durrësit. Ajo u martua me Sulejman Gjurën në fshatin Çerenec i Poshtëm me të cilin pati pesë fëmijë, Abdurrahmanin, Maliqin, Ilmiun, Tushen dhe Sabrien. Sulejman vdiq para kohe në vitin 1938 nga një sëmundje e kohës , për mungesë të shërbimit shëndetësor dhe të ilaçeve, duke e lënë Siben të ve’ me pesë fëmijë të vegjël.

Por Sibja si një burrëreshë i rriti dhe i edukoi më së miri fëmijët e saj. Djali i madh, Abdurrahmani, u bë oficer policie dhe shërbeu me devotshmëri deri sa doli në pension. Ilmiu shërbeu si mësues në vendlindje dhe në fshatrat e Dibrës së bashku me të shoqen Razijen. Po kështu edhe fëmijët e tjerë u bënë njerëz të mirë dhe punëtorë. Djali i Abdurrahmanit, nipi i Sibes, Ylberi shërbeu për shumë vite si ushtarak në repartet e kufirit.
Sibja vdiq në Peshkopi me 28 qershor 1979 dhe u përcoll me nderime nga qindra e mijëra qytetarë dibranë, të cilët e njihnin dhe e respektonin punën dhe mundin e kësaj nëne të pashoqe në Dibër dhe në Shqipëri. Sibe Gjura për meritat e saj si bazë e LANÇ, si luftëtare dhe veprimtare e dalluar e luftës, mban medaljet e kujtimit, trimërisë dhe të çlirimit
Nënën trimëreshë Sibe Gjura nga Çereneci i Poshtëm i Dibrës të gjithë e kujtojnë me mall dhe me veneracion. Në çdo festë të Gjoricës, kujto festën e formimit të batalionit të Dibrës, me 26 korrik 1943, nënën trimëreshë Sibe Gjura e shikonim në tribunën e festës përkrah luftëtarëve të kohës.
Dekoratat e luftës i ndritnin në gjoks. Ne nxënësit e shkollës së Gjoricës e takonim shpesh dhe ajo na bënte biseda për ditët e stuhishme të luftës antifashiste nacional çlirimtare dhe për kthimin e shtëpisë së saj në bazë të luftës dhe të strehimit të partizanëvë të çetës dhe të batalionit të Dibrës të komanduar nga Haxhi Lleshi.

Haxhi Lleshi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL dhe komandant i batalionit të Dibrës në kujtimet e tij të botura “Vite, njerëz, ngjarje” , Kujtime, Shtëpia Botuese “Dituria” 1996 , Faqe 109 e rendit Sibe Gjurën, të parën ndër gratë dhe vajzat që sakrifikuan gjatë lëvizjes dhe luftës Nacional Çlirimtare. Haxhiu në librin e tij :“Vite, njerëz, ngjarje” , Kujtime, Shtëpia Botuese “Dituria” 1996 , Faqe 48-49 tregon:”
Ishte viti 1942…Nga Dovolani kaluam nëpër disa fshatra të tjerë dhe u ndalëm në Çerenec të Epër, një fshat i ngritur mbi kodra të buta e i veshur me pyje dushku e plot pemë. Aty vendosëm të qëndronim disa ditë, sepse kishte kushte për t’u lidhur me më shumë njerëz pa rënë në sy të armikut.
I them Sadik Koçit që ishte nga ai fshat:” Ku do të shkojmë ?
Ai u mendua një çast , pastaj u përgjigj:
-Te Sibe Gjura, ajo është stërmbesë e Lleshëve, kurse unë e kam ndrikull. Është grua e ve, me një tufë kalamaj, e varfër, sa s’ka ku të vejë, por trimëreshë, besnike e bujare.
Kur u afruam tek porta, i thirra:
Oj Sibe, a do miq ?
– Bujrum , u përgjigj me një zë të butë nga brenda dhe sa hap e mbyll u dha në derë, duke fshirë duart në një përparëse të errët e plot arna. – Jam Haxhi Lleshi, i thashë. – Oj lumja unë, e mirë se na e gjete kasollen , dhe na përqafoi si ta kishin bijë të shtëpisë.
Sapo hymë brenda vumë re se varfëria kishte pllakosur çdo cep të asaj ndërtese dykatëshe, që vetëm emrin e kishte shtëpi. Shiu që binte jashtë futej brenda. Nëpër odë lëviznin pesë fëmijë , tre djem dhe dy vajza. Mu kujtuan shkrimet e Migjenit. Po mikpritja dhe bujaria e Sibes, sikur i dhanë një pamje tjetër asaj shtëpie.
Ashtu si edhe shumë nëna e motra të tjera dibrane, Sibe Gjurën më vonë do ta kishim jo vetëm mikpritëse bujare të partizanëve , por edhe luftëtare dhe veprimtare të dalluar të luftës sonë, si ndër gra edhe ndër burra, se jeta e kishte detyruar të ishte edhe nënë edhe burrë në shtëpi.
Në shtëpinë e Sibes thirrëm disa burra të fisit të Koçajve, si Cen Koçin, Isuf Koçin etj. Kishim edhe lidhje familjare me ta. , gjyshi im Tush Lleshi qe nip te Koçajt. Patën marrë edhe ata në luftën e Prillit 1941 dhe tani ishin të gatshëm ta vazhdonim luftën së bashku.
Edhe i biri i Sibes, Abdurrahmani, megjithëse i vogël, ndihmonte lëvzjen tonë nacional çlirimtare, tregon Haxhi Lleshi. (Faqe 56) Në fillim të shkurtit të vitit 1942 u nisëm nga Çereneci. Nënë Sibja na përcolli me një trastë në dorë që ja dha njërit prej shokëve tanë.
E mora me mend se aty kishte bukë , ndaj i thashë: “Ruaje për cullët. Ne do të gjejmë rrugës. U kthye, por na e kishte punuar ndryshe. Në të dalë të fshatit na arriti i biri, Abdurrahmani, që vinte me vrap dhe na e la trastën mu përpara e u largua po me vrap.
Shëmbujt që tregojnë pritjet dhe përcjelljet e partizanëve nga Sibe Gjura janë të shumtë. Mua më ka treguar disa raste, im atë, Uke A. Cami, partizan i Çetës së gollobordës, Batalionit të Dibrës dhe i Brigadës së 18.
E kam njohur personalisht dhe më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme. Rrallë shihen e takohen në jetë, nëna të tilla trimëresha si Sibe Gjura.
S.CAMI

S'KA KOMENTE