Portreti i Rilindjes, Dibra

285

Nga Alfred Lela /
POLITIKO.AL

• Ky bashkim i pashenjtë, ku bëhen bashkë dibranët e konvertuar në çamë, cubat në agjitatorë politikë, droga në gerrymeandering elektoral, çunat e Bllokut në rilindas, gocat me bachelor në zhan d’arka, dhe Rruga e Arbrit në lëndë mitologjike, që ngrihet në ditën e premtimeve politike dhe shembet në natën e mallkuar nga Shukri Xhelili, që nuk gëzoi dot as Bashkinë dhe as cucën.

Dibra është, pra, portreti i Rilindjes.

Nuk është Tirana që e shpjegon thelbin e ngjarjeve politike në Shqipëri përgjatë 5 vjetëshit qeverisës të Edi Ramës nën siglën pretencioze të Rilindjes. Aspak kështu. Eshtë Dibra. (It’s Dibra stupid!)
Dhe ja se pse.
Nëse nuk ua ka kapur veshi lajmin, prej disa ditësh, në Bashkinë e këtij qyteti ka patur një konflikt që ka shkuar deri në përdorim të hapur dhune. Shkopinj bejsbolli dhe arrestime. Pjesëmarrës në kërleshje janë identifikuar përfaqësues të dy partive aleate, asaj Socialiste dhe PDIU.
Motivi është bërë publik si përplasje për ndarje pushteti, territori dhe ndikimi në pushtetin lokal. Muharrem Rama, kryetari socialist i Bashkisë ka patur një përplasje të hershme, ekspozuar edhe në foltoren e Kuvendit, me Reme Lalën, deputete e PDIU. Lalës, me sa duket i ka ardhur dhe kaluar koha që të marrë mbrapsht atë pjesë të investimit që ajo dhe rrethi i saj kanë përballuar në zgjedhjet vendore dhe më pas ato kuvendore.
E afërt me Aqif Rakipin dhe Bujar Muçën (dy deputetë të PDIU-së tashmë jashtë Kuvendit), zonjusha Lala formoi një grup parlamntar ad interim, i cili i shërbeu për dy qëllime: për t’iu ofruar Ramës si amortizator politik në rast nevoje, dhe për të zmbrapsur Shpëtim Idrizin e mbetur jashtë parlamentit.
Si Ramës ashtu dhe Idrizit, jo Remja por filozofia që ata zgjodhën për të vajisur mekanizmin e një pushteti okult, u ka shkrepur mbrapsht si bumerang apo, thënë shqip, një pushkë difektoze. Reme Lala një vajzë e re, është vetëm fytyra simpatike, makiazhi, maska, rinia e hedhur mbi një dekompozim politik të ashtuquajtur Rilindje. Edhe emri i saj në këtë editorial është vetëm për faktin se ajo shpjegon një qëndismë politike të menduar si të hollë, por sa kohë që koha kalon, i zbulon tegelat e qepur keq.
Edi Rama e ka thënë se mund të bëhet rrobaqepës kur të tërhiqet nga politika. I veshur për vete me Brioni, ja kostumi politik Dibroni që ai i ka qepur dhe veshur një krahine që mbahet me të madh për mençuri, ironi, për orbi më shumë se urbi.

Si ia pranuat Ramës këtë pajë qesharake?

Ta fillojmë kur filloi e gjitha. Me Shukri Xhelilin, kryebashkiakun socialist të Dibrës i cili u filmua në përpjekje për të joshur një vajzë të re në këmbim të një vendi pune në zyrat e tij. Skandali, përveçse politikisht dëmtues, e çoi edhe në ndjekje penale dhe arrestim, duke e shtyrë Dibrën drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Edi Rama kandidoi Muharrem Ramën. Partia Demokratike Sherefedin Shehun. Diferenca e votave, në zgjedhjet pararendëse, mes Xhelilit të PS dhe Krosit të PD pat qenë e vogël. Ky fakt, plus skandalin e kryebashkiakut socialist dhe dijeninë se Dibra nuk i ishte gëzuar asnjë pune, si nga qeveria qendrore dhe as ajo lokale, të ndihmonin në logjikën se gara do fitohej nga demokratët, ose do të mbyllej ngushtë, pavarësisht fituesit.
Nuk ndodhi kështu. Muharrem Rama e shumëzoi me disa herë diferencën e votave me rivalin, krahasuar me zgjedhjet e fundit. ‘Skedina’ e parashikimeve politike nuk e pranonte një rezultat të tillë. A kish qenë e fiksuar ndeshja nëpërmjet një basti që nuk merrte parasysh asnjë kriter të politikës, garës, kronikës apo historisë?
Propaganda qeveritare dhe fortafolësit e saj mediatikë nuk pranonin as që dyshimi të ngrihej. Gjithçka i faturohej Partisë Demokratike, e futur thellë në hamburgerin trekatësh PS-LSI-PDIU. Eshtë në zakonin e sharlatanëve që ta gjejnë heroin mes të padrejtëve dhe të mos ia njohin të drejtën të mundurve.
Koha rrodhi dhe atë që ajo nuk ta jep si skeptër pushteti ta ofron si rivendikim moral. Në terma të politikes kjo nuk ka rëndësi, por çfarë rëndësie ka kjo për rivendikimin. Ky i fundit erdhi në formën e një hetimi italian dhe një dosjeje voluminoze që shpjegonte, me detaje dhe pa dyshim, mekanizmin që lidhte krerët e Policisë, ministrin e Brendshëm dhe trafikantët e drogës. Nuk bëhej fjalë për dosje, por për Fjalorin Politik të Rilindjes.
I cili shpjegonte edhe Dibrën. Si ishte marrë ajo nga dy Ramët dhe Remja, që formonin triremëshin triumfant të krahinës që nuk ishte marrë nga Hajredin Pasha i Turqisë (o po i vjen Radikës), por nga azganët e një Çamërie që përpëlitej në mosnjohje në Gjirin e Artës dhe bëhej ‘republikë’ në luginën e Drinit të Zi.
Ky bashkim i pashenjtë, ku bëhen bashkë dibranët e konvertuar në çamë, cubat në agjitatorë politikë, droga në gerrymeandering elektoral, çunat e Bllokut në rilindas, gocat me bachelor në zhan d’arka, dhe Rruga e Arbrit në lëndë mitologjike, që ngrihet në ditën e premtimeve politike dhe shembet në natën e mallkuar nga Shukri Xhelili, që nuk gëzoi dot as Bashkinë dhe as cucën.

Dibra është, pra, portreti i Rilindjes.

Një instalacion politik i Edi Ramës. Një markizë, që si pëllëmbë përmbi sy kqyr nga e ardhmja, por shpjegon vetëm të tashmen dhe të shkuarën.

S'KA KOMENTE