TË NJOHIM VENDLINDJEN: NJËSIA ADMINISTRATIVE E SHUPENZËS

860

Pozita gjeografike

Shupenza gjendet në koordinata gjeografike 41° 31” 48’ V dhe 20° 25” 25’ L, në lartësinë 513 m. mbi nivelin e detit. Shtrihet në veri të Rrethit Bulqizë dhe ka një sipërfaqe prej 10417 hektarësh me një terren kodrinor-malor.
Nga lindja kufizohet me njësinë administrative të Gjoricës dhe me atë të Maqellarës. Nga Jugu dhe Jugpërëndimi kufizohet nga njësia administrative e Zerqanit dhe nga veriu me Luzninë. Ajo laget nga Lumi i Drinit të Zi në Lindje dhe nga Zalli i Strikçanit në Jug.
Sipërfaqja e përgjithëshme përbëhet nga 6873 hektarë pyje dhe kullota, 18999 hektarë tokë bujqësore, 648 hektarë tokë jo produktive dhe 796 hektarë tokë që zenë shtretërit e lumenjve të Drinit të Zi dhe të Zal;lit të Strikçanit.
Njësia Administrative e Shupenzës , sipas studimit të ish kryetarit të komunës Shahin Kaja të vitit 2006 përbëhet nga 12 fshatra me një popullsi prej 7803 banorësh dhe 1910 familjesh. (Nuk përfshihen ndryshimet gjatë kësaj periudhe 2006 – 2017).
Qendra e Njësisë Administrative, Shupenza, përbëhet nga 115 familje dhe 647 banorë. Gjurasi ka 155 familje dhe 631 banorë, ndodhet 1100 metra mbi nivelin e detit dhe 15 km larg qendrës së njësisë administrative. Bllaca ka 130 familje dhe 437 banorë. Shtrihet rrëzë Malit të homeshit dhe ka një largësi 12 km nga qendra e njësisë administrative. Mazhica ka 125 familje dhe 325 banorë. Ndodhet 11 km larg nga qendra e njësisë administrative. Zogjaj ka 145 familje dhe 484 banorë. Shtushaj ka 120 familje dhe 309 banorë. Kovashica ka 160 familje dhe 554 banorë. Topojani ka 140 familje dhe 501 banorë. Fshati Vlashe fare pranë Shupenzës ka 40 familje dhe 205 banorë. Boçeva ka 200 familje dhe 798 banorë. Fshati më i madh është Homeshi me 320 familje dhe 1694 banorë.

Pak histori
Shupenza është qendra e Komunës dhe përfshin fshatrat e Grykës së Vogël, e cila përmendet për herë të parë më 1272, pronë e fisnikut arbër sevast Pal Gropa.
Më 1467, fshatrat e Grykës së Vogël bënin pjesë në Vilajetin e Dibrës së Sipërme si Topojani, (Topoliani), 19 hane, Okshatina, (Ohshatina), 15 hane, Homeshi, (Homish), 14 hane, Kovashica, (Kovaçiça), 24, Boçeva, (Boçiva) 6, Shupenza, (Shipançi), 3, Stushaj, (Sushani), 9 dhe Bllaca, (Blaçe), 13) dhe disa të tjerë në vilajetin e Gollobordës, Çerenec, (Ciranci), 14 hane, Gjoricë, (Koriça), 2, Viçisht, (Viçishta), 4 dhe Golovisht, (Kolovishta) me 5 hane.
Numri i pakët i banorëve ishte rrjedhojë e luftrave që ky popull kishte zhvilluar për 25 vjet kundër pushtuesve osmanë.
Gjatë shek. XVIII – XIX, Gryka e Vogël ruajti vetëqeverisjen e saj si një ndër Malet e Dibrës. Më 1872, forcat ushtarake osmane të drejtuara nga Demir pasha dhe Osman aga sulmuan Grykën e Vogël. Malësorët organizuan qëndresën në Zogje, në kullën e Lam Dacit. Në ndihmë të tij shkuan dhe malësorët e Luznisë.
Më 1878, Gryka e Vogël kishte 4 429 banorë myslimanë.
Më 1903, Mali i Grykës së Vogël kishte 16 fshatra me 600 shtëpi. Po aq frymë shkonin në luftë.
Më 1916, gjatë pushtimit austro – hungarez, katundet e epra (Gjuras, Bllacë, Zogje, Kovashicë, Stushën, Mazhicë e Topojan) me qendër në Zogje kishin 1686 banorë, kurse fshatrat e Fushës (Okshatinë, Boçevë, Vlashe, Shupenzë, Çerenec, Gjoricë, Viçisht dhe Golevisht) me qendër Homeshin kishin 2 773 banorë.
Në qëndresën e saj heroike kundër pushtuesve turq dhe serbë , kjo zonë ka figura të shquara, dëshmorë të lirisë dhe të pavarësisë si Mete Dema, Mersim Dema, Lam Daci, Sal Markja, Cen Leka, etj.
Më 1927, Gryka e Vogël u përfshi në nënprefekturën e Peshkopisë me 17 fshatra, 1 035 shtëpi dhe 6 672 banorë, të gjithë myslimanë.
Gjatë pushtimit nazi-fashist populli i Shupenzës përkrahu lëvizjen antifashiste nacional çlirimtare. Ramadan Veliu është dëshmori i parë që ra më 7 prill 1939 përkrah Mujo Ulqinakut dhe Isak Metalisë. Shupenza ka shumë dëshmorë në këtë luftë të lavdishme.
Pas çlirimit Shupenza u bë rreth dhe përfshinte edhe Gollobordën. Më pas u organizuan lokalitetet dhe Shupenza u bë lokalitet, ku përfshinte edhe fshatrat e Gjoricës.
Me organizimin në këshilla të bashkuara, Shupenza pëfshinte vetëm disa fshatra sepse Zogje dhe fshtarat e epra ishin më vehte.
Pas vitit 1991 u bë organizmi me komuna në varësi të rrethit të Bulqizës dhe të Qarkut të Dibrës dhe Shupenza mori këtë organizim që e ka edhe sot si njësi administartive e Bashkisë së Bulqizës.

shkolla1Arsimi
Sistemi arsimor përbëhet nga një shkollë e mesme dhe disa shkolla 9 vjeçare si në Shupenzë, Shtushaj, Zogjaj, Kovashicë, Mazhicë. Numri i përgjithshëm i nxënësve është 1722. Funksionon edhe sistemi parashkollor.

Shkolla e mesme dikur vetëm për Shupenzën, tani shërben edhe për Gjoricën dhe Zerqanin. Në sistemin arsimor japin mësim 140 mësues. Nga kjo shkollë kanë dalë qindra kuadro dhe punonjës me arsim të lartë. (Të dhënat nuk janë të përditësuara)

Shërbimi shëndetesor
Në Shupenzë funksionon Qendra Spitalore me shërbim 24 orë. Ajo mban emrin e mjekut dhe drejtorit të saj ndër vite “Myslym Cami” . Atje shërbejnë 3 mjekë dhe 17 mami e infermjere. Qendra është e pajisur edhe me autoambulancë. Gjithashtu ka dy farmaci dhe 2 klinika dentare. Ky shërbim shëndetësor është për të gjithë zonën, Gjoricë, Ostren, Zerqan dhe deri në Trebisht.

Ekomomia
Njësia administrative e Shupenzës ka në territorin e saj një numër të konsiderueshëm burimesh natyrore dhe sociale, kusht këto, për një zhvillim të qëndrueshëm. Në Kovashicë dhe Gjuras ka rezerva mermeri. Në Topojan ka rezerva mangani. Në lumin e Drinit ka burime për inerte ndërtimi. Në Homesh është një hidrocentral bazën e ujrave të Kovashicës, e cila ka pesë gurra të mëdha ujore. Funksionojnë edhe tre mullinj bloje.
Nevoja për investime në industrinë nxjerrëse të mineraleve, në bujqësi dhe blegtori është e madhe. Pjesa më e madhe e komunitetit të Shupenzës merret me bujqësi dhe blegtori. Vazhdon funksionimin tradicional i pazarit të Shupenzës çdo të dielë, për tregëtimin e mishit dhe prodhimeve bujqësore e blegtorale, por nevojiten investime për përmirësimin strukturor të këtij pazari dhe për sjelljen e tij në parametrat e kohës.
Shumë nga të rinjtë janë në emigracion dhe sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Rreth 50 % e këtyre emigranteve janë të pajisur me dokumenta të rregullta.
Njësia administrative e Shupenzës me 12 fshatra ka në zotërim një numër të madh burimesh natyrore.
Territori i saj është i pasur me toka pjellore, pyje e kullota. Burimet e shumta ujore i japin më shumë bukuri territorit dhe shtojnë prodhimin bujqesor. Kultivohen misër, grurë, foragjere, perime dhe prodhohen qumësht, vezë, mish etj.
Mundësitë për zhvillimin e turizmit dhe të aseteve të tij afër Lumit të Drinit të Zi, në Malin e Homeshit, tek Gurrat e Kovashicës, etj janë burim për rritjen e mirëqenies së banorëve të kësaj zone me tradita mikpritje dhe bujarie. Pas ndërtimit të Rrugës së Arbërit, distanca me Tiranën dhe Durrësin shkurtohet nga 5 orë në 2 orë, gjë që ndikon në rritjen dhe përmirësimin e treguesve ekonomikë, kulturorë dhe turistikë të kësaj zone.
Përgatiti: Sakip Cami

S'KA KOMENTE