FAKTE DHE NGJARJE HISTORIKE TË SHKRUARA ME DASHURI NJERËZORE

454

Nga HALIL RAMA
Në harkun kohor të dy dekadave, poeti, publicisti dhe studiuesi i mirënjohur Sakip Cami, ka bërë një hop cilësor dhe produktiv, duke i dhuruar lexuesit 15 libra të botuar, vëllime me poezi, monografi letrare, profile e studime.
Libri më i ri i tij “Ngjarje dhe figura të shquara historike të komunitetit të Bashkisë së Bulqizës“, përbën një kontribut real, të konkretizuar në një vepër shkencore të një niveli shumë të lartë.
Ndonëse përmbledh studime historike të një shekulli e më shumë, luftrash e përpjekjesh madhore të shqiptarëve për liri e pavarësi kombëtare, ngjarjet dhe protagonistët vijnë me realizëm objektiv. Autori, pas një studimi skrupuloz dhe ballafaqimi të mirëfilltë shkencor të fakteve, sjell risi në historinë e Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke hedhur dritë edhe mbi personalitetet dhe ngjarjet legjendare skënderbegiane. Parë nga ky këndvështrim ia vlen të evidentohen përpjekjet e autorit për të përveçuar legjendat dhe paragjykimet.
Dhe këtë e bën mbështetur në fakte mbi qëndresën e paepur të kryetrimave të një treve lavdiplote siç është Bulqiza, Gryka e Vogël e Gryka e Madhe, por edhe Golloborda. Kemi kësisoj një libër të një lloji të veçantë me lëndë e material shumë interesant dhe tepër argumentativ mbi vendluftimet e ushtrisë së Skënderbeut, si Vajkali, Valikardha, etj, por edhe toponime që flasin shumë për rezistencën e popullsisë së kësaj zone ndaj pushtuesve osmanë turq.
Kështu, autori hedh dritë për „Luftimet e Skënderbeut në zonën e Bulqizës dhe të Gollobordës“, duke përshkruar me një gjuhë të pasur dhe argumentuese, gjurmët e sheshbetejave si: Gurët e Skënderbut, Betejën e Valikardhës, Sofra e Skënderbeut, Vendkomanda e luftës, fortesën e Modriçit, Kalanë e Maçadit, ku është zhvilluar edhe beteja e Maçadit në qershor të vitit 1465 kundër forcave turke të komanduara nga Ballaban Pasha, etj.
Si mjeshtër i përshkrimit dhe profilit, autori sjell me freskinë dhe origjinalitetin e duhur personazhe të njohur e të panjohur të një kohe të largët, si: Zaharia Gropa, nga Gryka e Madhe, Princ i Ohrit dhe Konti Vlladan Gjurica, Princ i Çermenikës, dy bashkëluftëtarët më besnikë të Skënderbeut.
Ndërsa në aspektin gjeografik dhe zakonor, gjejmë në këtë libër një diapazon më të gjerë, si tek: “Çidhën e Grykë e Vogël, vëlla me Shkodër”, “Heroizmi masiv dibran në luftën kundër turqve të komanduar nga Hajredin Pasha, Korrik 1844“ (sipas variantit të vjetër të kangës kushtuar luftës kundër Hajredin Pashës) apo dhe tek „Mustafa Sheh Zerqani, lideri kryesor i luftëtarëve dibranë në luftën kundër Hajredin Pashës”.
Duke ecur në të njejtën linjë, autori sjell fakte dhe ngjarje historike, të shkruara me dashuri njerëzore, edhe në profilet e Lam Dacit, madhështia e të cilit del qoftë dhe nëpërmjet vargjeve: “Lum kjo kulla çish ka mrena/ Ka Lam Dacin me shtatë zemra..”…apo te figurat e patriotëve të shquar Sheh Fejzë Bulqiza, Dalip Karaj, Mehmet Duriçi, emblemë e mençurisë dhe trimërisë dibrane, Salë Markja, Mersim Dema etj.
Nëpër tymin e zjarrin e luftrave dhe përmes fakteve të personazheve – heronj të këtij libri gjejmë gjithashtu bëmat dhe heroizmin e “Hoxhë Hasan Moglicës, këtij kleriku dhe luftëtari të shquar për lirinë dhe gjuhën shqipe, si dhe të Elez Koçit nga Ostreni….
Shumë emra, shumë vende dhe histori, shumë dashuri dhe mirënjohje sjell autori Sakip Cami brenda faqeve të këtij libri, duke personifikuar njerëz të mençur, trima, patriotë, luftëtarë e intelektualë të Dibrës martire. Ato vijnë e ulen pranë nesh përmes faqeve të këtij libri, të rrethuar me trimëri nga jehona e kohërave, të thjeshtë deri në madhështi.
Ndërsa te “Klubi atdhetar «Bashkimi» i Dibrës së Madhe dhe roli i tij për përhapjen e arsimit shqip dhe për pavarësinë e vendit », autori flet për patriotë me vlera të mëdha kombëtare për përhapjen e mësimit shqip ashtu si dhe luftëtarë të shquar kundër pushtuesve turq, serbë dhe bullgarë.
Duke konsideruar monografitë e shkurtra letrare të përfshira në librin “Ngjarje dhe figura të shquara historike të komunitetit të Bashkisë së Bulqizës“, mund të konkludojmë se Sakip Cami sjell për lexuesin dhe veçanërisht për studiuesit e historisë një përmbledhje të shkurtër të historisë së kombit shqiptar nga njëra prej trevave më me emër.
Për vetë lëndën e pasur dhe larminë e figurave e personazheve, mund ta konsiderojmë këtë libër edhe si një prej enciklopedive prestigjoze në shërbim të studiuesve. Kjo për faktin se Sakip Cami sjell një seri faktesh historike, korrespondecash diplomatike dhe mendimet e tij rreth ngjarjeve e personazheve të kësaj treve. Dhe këto ai i sjell nëpërmjet shumë fakteve dhe dokumentave historike të kohrave dhe burimeve të ndryshme.
Dhe nëse në libra të tjera të S.Camit gjejmë poezi brilante që ai ua kushton këtyre ngjarjeve e figurave historike, edhe në këto monografi, portrete e refleksione ai dëshmon se poezinë e ka në shpirt dhe e bart kudo me vete. Ai bart në krijimtarinë e tij diçka origjinale.
Ashtu si Viçishti, vendlindja e tij në prehër të maleve, në anë të të cilit kalon Drini i Zi, edhe ai si krijues lëvron dy fusha të krijimtarisë artistike: poezinë, me të cilën ka krijuar tashmë profilin e tij të spikatur si dhe studimet historike, një dyzim i natyrshëm ky për një shkrimtar por edhe një bashkëjetesë jo e lehtë. Gjithsesi, edhe me këtë botim dinjitoz, ai është dhe mbetet poet pavarësisht se balanca e botimeve anon nga studimet, prej të cilave, edhe si ish-ushtarak i talentuar njihet tashmë si një zë i njohur i fushës.

S'KA KOMENTE