Gjeneral Gëzim Ostreni, heroi i dy luftërave në Kosovë dhe Maqedoni, libër për luftën dhe paqen në Shkup

438

Gjeneral major Gëzim Ostreni ësh të lindur në qytetin e Dibrës, më 1 nëntor 1942.Pas mbarimit të shkollës normale, mbaron edhe shkollën e oficerëve të rezervës si dhe disa kurse në Akademinë Ushtarake. Diplomohet në Fakultetin Filozofi dhe Sociologji në Prishtinë.Në lëmin ushtarak ka kryer detyrën e komandantit të mbrojtjes territoriale në Dibër. Ka marrë pjesë në luftën e UÇK, në fillim në detyrën e shefit të shtabit të Zonës së III, më pas komandant i Zonës së III Operative të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës me gradën Gjeneral Brigade. Në vitin 2000 gradohet Gjeneral Major dhe ngrihet në detyrën e Shefit të Shtabit të TMK. Në vitin 2001 me fillimin e konfliktit në Maqedoni merr detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ushtri që u krijua nga shqiptarët e Maqedonisë në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime.Së bashku me Ali Ahmetin, komandant dhe drejtues politik i kësaj ushtrie e detyruan faktorin ndërkombëtar dhe qeverinë, Parlamentin dhe Presidentin e Maqedonisë të nënshkruanin Marrëveshjen e Ohrit për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, marrëveshje që tashmë është pasqyruar edhe në Kushtetutën e Maqedonisë.Nga 3 tetori i vitit 2002 është deputet i Kuvendit të Maqedonisë.Në vitin 2004 ka qenë kandidat për President i shtetit të Maqedonisë dhe nga viti 2002 deri në vitin 2006, nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Në nëntor të vitit 2007 deponon në Gjykatën e Hagës për 19 ditë dhe argumenton me fakte dhe dokumente se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë një luftë e drejtë, për të drejtat themelore të shqiptarëve dhe që s’ka të bëjë aspak me veprimet terroriste. Mban gradën Doktor i shkencave dhe ka botuar një sërë librash dhe studimesh për historinë dhe luftën e popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe të drejtat e tij veçanërisht për shqiptarët jashtë trungut amë, duke dhënë një përgjigje të merituar shkencore profesorëve serbë dhe maqedonas që duan të hedhin baltë mbi gjenezën dhe traditën historike të shqiptarëve.

Studim shkencor që përmbledh dokumente shtetërore dhe arkivore. Libri “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” është një studim voluminoz prej 1150 faqesh, i shoqëruar me një CD dhe me një grup hartash luftarake.Ky libër është një kontribut i jashtëzakonshëm shkencor, ushtarak, dhe historik për historinë e shqiptarëve kudo që janë.

Ndonëse është i shoqëruar që në titull me okelion “Shkaqet, lufta dhe paqja në Maqedoni në vitin 2001, ky libër është një studim shkencor që përmbledh dokumente shtetërore dhe arkivore që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Kongresi i Berlinit, që nga viti 1878 e deri në ditët e sotme.

Libri si rrallë ndonjëherë, është shkruar nga një protagonist kryesor, nga shefi i shtabit të kësaj ushtrie dhe ka për recensent ish Komandantin e Luftës së shqiptarëve në Maqedoni, sot kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Integrim BDI, Ali Ahmeti, i cili e quan atë një dëshmi eklantante për një luftë të drejtë të UCK-së.

“E kaluara historike e shqiptarëve në Maqedoni, që nga viti 1912, thekson Ali Ahmeti, është e lidhur ngushtë me zhvillimet në Gadishullin e Ballkanit, me luftërat që zhvillojnë fqinjët e tyre për të gllabëruar trojet shqiptare në emër të çlirimit nga Perandoria Osmane dhe me përpjekjet e tyre gjatë luftërave botërore për të ruajtur qenien e tyre në Maqedoni e në trojet e tjera në Ballkan. Shqiptarët të ndodhur nën okupimin serbo-jugosllav u gjetën nën presionin e forcës së genocidit të organizuar nga shteti deri në fund të shekullit XX, i cili tentonte t’i zhdukë dhe t’i shpërngulte nga trojet e veta.

Durimi i shqiptarëve mbaroi sepse edhe në fillim të shekullit të XXI, fill pas mbarimit të Luftës së Kosovës në vitin 1999, ku u angazhua plotësisht NATO dhe SHBA, politikanët dritëshkurtër dhe qeveritarët maqedonas, jo vetëm nuk po ua jepnin të drejtat shqiptarëve të Maqedonisë, por po i shtypnin edhe më shumë ata duke ua hequr edhe të drejtat e fituara. Kjo çoi në luftën e UÇK së shqiptarëve të Maqedonisë. Duke analizuar veprën e Gjen.Gëzim Ostrenit, vepër që pasqyron pothuajse plotësisht këtë luftë, Ali Ahmeti, drejtues politik dhe komandant, thekson se në vorbullën e ngjarjeve të provokuara nga reagimi i shqiptarëve me kryengritje ndaj shkeljes së lirive dhe të drejtave të tyre, kryengritje kjo, që shpejt u transformua në Ushtri Çlirimtare Kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni, u bë shkak, i cili kishte për pasojë angazhimin e KS të OKB-së, SHBA, BE, OSCE dhe NATO-s. Në këtë drejtim, me tërë kapacitetin e tyre u angazhuan edhe organet diplomatike të akredituara në Maqedoni, për të gjetur zgjidhje për përfundimin e luftës që kishte shpërthyer. Prof. dr. Mahmud Hysa në recensën e tij, ndër të tjera shkruan: “Nëse del nga kujtesa historike dhe e përfshin “pluhuri i harresës”, nëse pseudostudiues do ta injorojnë ose minimizojnë këtë luftë grandioze, mjafton të lexohet vepra e Gjen. Gëzim Ostrenit, të cilin e shquan mbi të gjitha objektiviteti shkencor, të gjitha të shkrihen si flluska sapuni si të pavërteta e paradoksale. Dr. Gëzim Ostreni me këtë vepër e ka ngritur në piedestal më të lartë luftën dhe heronjtë e saj, të gjallë dhe të vdekur.Është kjo një vepër shumëdimensionale dhe e rrallë për kah arritjet shkencore. Prof. dr. Gëzim Mustafaj, Dekan i Fakultetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Akademinë e Mbrojtjes, Tiranë e ka analizuar këtë vepër në aspektin ushtarak, në aspektin e drejtimit dhe të komandimit të trupave duke vënë theksin në mos politizimin e institucioneve të sigurisë së një shteti, të mos uzurpimit të tyre, gjë që çon në moskryerjen e funksioneve të këtyre institucioneve dhe të mospasjes siguri në një shtet demokratik.

Institucionet e sigurisë së

shtetit janë themeli i inte

gritetit dhe identitetit të vetë shtetit

“Libri i Z. Gëzim Ostreni, nënvizon Prof. Mustafaj, është një mesazh për të gjithë, duke theksuar se institucionet e sigurisë së shtetit janë të dimensioneve të ndryshme, por në të njëjtën kohë ato janë themeli i integritetit dhe identitetit të vetë shtetit, kjo sepse sa herë ka pasur uzurpime të institucioneve të sigurisë së shtetit, duke i shndërruar në vegla të ushtrimit të forcës, asnjëherë shteti nuk u ka shërbyer shtetasve e qytetarëve të tij, përkundrazi natyra e shtetit ka humbur dimensionin e tij, duke u shndërruar me ose pa dashje në vegël të urryer për vetë popullin.

Dr. Shpëtim Cami, ekspert dhe pedagog i menaxhimit të krizave, thekson se ky libër është një mësim i mirë për lidershipin ballkanik që ka prodhuar dhe prodhon çdo ditë konflikte që prej më shumë se 100 vjetësh.

“Libri është një kontribut shkencor në fushën e studimeve për menaxhimin e krizave.Ai është një monument që zvogëlon rrezikun e deformimit apo të mohimit të historisë.Ky libër është një kontribut me vlerë në identitetin kombëtar shqiptar, që do t’u shërbejë edhe popujve të tjerë që të dinë të jetojnë në një botë shumë etnike në paqe dhe në shërbim të njëri tjetrit”.

Befasohesh kur lexon këtë studim voluminoz, këtë monografi historike, ushtarake, politike, shoqërore, me vlera për sot dhe për nesër, për brezat që do të vijnë.Propaganda komuniste këtej dhe matanë kufirit ka bërë punën e saj për ta bërë bashkim vëllazërimin në kurriz të shqiptarëve dhe për t’i trajtuar ata si qytetarë të dorës së dytë.

Ky libër na njeh me dokumente autentikë për trajtimin çnjerëzor deri në shpërngulje e zhdukje të shqiptarëve me banim në trojet e tyre në Jugosllavi, Maqedoni, Kosovë, Preshevë, Mal të Zi, për të arritur në vitin 2001 tek lufta për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, luftë që u përpoq të shtypej nga autoritetet maqedonase, por që u njoh dhe u përkrah nga autoritetet ndërkombëtare, nga SHBA, BE, NATO etj. Mbarimi i kësaj lufte çoi në Marrëveshjen e Ohrit dhe në ndryshimet kushtetuese për njohjen e të drejtave të shqiptarëve.

Ballkani është cilësuar fuçi baruti dhe është karakterizuar nga luftëra për pushtimin e tokave të njëri tjetrit.

Shqiptarët, jo se janë pak, jo se janë komb i vogël, por sepse janë europianë të vërtetë, janë paqësorë dhe të përparuar, kurrë nuk i kanë rënë në qafë të tjerëve. Përkundrazi të tjerët i kanë pushtuar trojet shqiptare.Libri i Gjen.Gëzim Ostrenit fillon me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe me Kongresin e Berlinit.Është fakt që kanë qenë katër vilajete shqiptare me qendër në Shkup, Shkodër, Manastir dhe Janinë.Është fakt që Shkupi ka qenë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës dhe që ka patur në shekullin IX mbi 50 mijë banorë.Strategjitë shfarosëse të strategëve sllavë dhe serbë të Cubrillovicëve e deri tek Milloshevici, dështuan.Sot kemi Shqipërinë anëtare e NATO-s, kemi Kosovën me perspektivë europiane dhe euroatlantike, kemi shqiptarët e Maqedonisë me të drejta më të mëdha se kurrë më parë. Vetëm për të hapur Universitetin e Tetovës u bë luftë politike dhe deri protesta. Sot kemi universitete dhe shkolla shqipe në të gjithë trojet shqiptare.Por në çdo hap që hedhim duhet të nderojmë martirët dhe luftëtarët e kombit.Ata sakrifikuan jetën e tyre për të ardhmen e fëmijëve tanë sot.Autori i librit është një ushtarak profesionist, një sociolog dhe politikan, por mbi të gjitha është një luftëtar dhe atdhetar i madh. Ai mori pjesë në luftën e Kosovës në vitin 1999 dhe fill pas fitores në Kosovë së bashku me shumë gjeneralë të Kosovës, erdhën dhe luftuan e fituan për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, sepse këto të drejta shkeleshin me këmbë nga pushtetarët e verbër maqedonas.

Në aspektin ushtarak, çdo ushtarak që lexon këtë libër kujton konfliktet ndëretnike në Bosnjë, Gjeorgji, Armeni, Azerbaxhan, Nagorni Karabak, Ukrahinë, etj si dhe periudhat pas konfliktit. Në këtë studim ushtarakët nuk do të gjejnë strategjinë dhe taktikat e luftës frontale, e luftës klasike, por strategjinë, veprimet operative-taktike të luftës midis palëve në konflikt. Do të gjejnë bashkëveprimin me organizmat dhe organizatat ndërkombëtare, me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, me UNHCR, me UNICEF, me shtetin shqiptar, me qarqet diplomatike dhe mbi të gjitha do të gjejnë kujdesin ndaj njerëzve në konflikt, që të mos vdesë asnjë njeri i pafajshëm.

Pas mbarimit të periudhës së Luftës së Ftohtë në Ish Bashkimin Sovjetik, në Ish Jugosllavi dhe në shumë vende federative me bazë komuniste dhe jo me baza të shëndosha demokratike, ndodhën shpërbërjet e tyre dhe kthimi në shtetet me bazë etnike. Kjo u shoqërua me luftëra dhe konflikte ndëretnike, si ai i Bosnjës ku u derdh shumë gjak dhe u desh Marrëveshja ndërkombëtare e Dejtonit që të krijohej shteti multietnik i Bosnjës.Por politikanët e Europës dhe të Ballkanit nuk nxorën mësime nga konflikti i Bosnjës në vitin 1995-1996.Në vitin 1999 ndodhi konflikti i Kosovës ku u desh ndërhyrja e NATO-s.

Përsëri politikanët e Ballkanit, dhe veçanërisht ata maqedonas nuk nxorën mësime dhe keqtrajtuan qytetarët shqiptarët në Maqedoni.Dhe ndodhi që në vitin 2001 qytetarët shqiptarë të Maqedonisë të formonin ushtrinë e tyre për të frenuar shtypjen dhe trajtimin çnjerëzor që u bëhej nga qeveritarët maqedonas.

Kjo ushtri dhe kjo luftë u drejtua politikisht nga Ali Ahmeti dhe ushtarakisht nga Gjen. Gëzim Ostreni, që vinte nga përvoja e luftës së Kosovës në vitin 1999. Zgjidhja e këtyre konflikteve nuk duhet ketë si opsion të fundit, luftën. Politikanët dhe pushtetarët e vërtetë dhe të zotë e kanë më të lehtë tu japin të drejtat qytetarëve të vet se sa ti shtypin me dhunë. Dhuna sjell vetëm dhunë. Mbi të gjitha këto mesazhe duhet t’i lexojnë qartë politikanët e rajonit të Ballkanit, ku shqiptarët janë shumicë, politikanët e Shqipërisë, Kosovës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, për të qenë të bashkuar dhe me mendje të kthjellët, për të qenë europianë në mendim dhe veprim.

Bota është në prag të Luftës së III Botërore sepse vatrat e luftës dhe të konflikteve në fakt janë më të gjëra se sa vetë territori i një lufte botërore. Shtresa e të pasurve, bankierë, biznesmenë etj do të bënte mirë që të plotësonte kërkesat e punëtorëve të vet se sa të thellonte hendekun e varfërisë dhe të padurimit. Mesazhet që vinë nga ky libër janë të shumta. Ata janë mesazhe paqeje, tolerance dhe bashkëpunimi.

S'KA KOMENTE